Kalaja e Shkodrës po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga atraksionet kryesore për turistët e huaj, veçanërisht për vizitorët nga Spanja.
Gjatë viteve të fundit, interesimi i turistëve spanjollë për të vizituar këtë monument historik është rritur ndjeshëm.
Operatorë turistikë që punojnë në tregun spanjoll theksojnë se Shkodra është kthyer në një destinacion “në modë” për ata, të cilët e shohin si një vend autentik dhe larg turizmit masiv.
“Aktualisht punoj vetëm me tregun spanjoll dhe latin. Vitet e fundit ka pasur një rritje në numër të spanjollëve që e vizitojne vendin. Pamja e bukur që ofron kalaja nga sipër, liqeni, lumenjtë, Xhamia e Plumbit… Kur ata vijnë dhe marrin rrugën nuk e presin diçka të tillë,” thotë Makbule Sula, operatore turistike.
Ndërsa turistët spanjollë ndihen të impresionuar nga hera e parë që ata po vizitojnë Shqipërinë.
“Quhem Francina dhe jam nga Majorka, Spanjë. Kjo është hera ime e parë që e vizitoj Shqipërinë. Më pëlqen shumë Shkodra. Mendoj se është shumë e bukur dhe peizazhet janë të mrekullueshme. Në Majorka nuk kemi gjëra të tilla.“
“Edhe unë vij nga Majorka. Më herët vizituam alpet dhe tani po ngjitemi në kala. Nga lart qenka pamje mahnitëse, vërtet këndshëm, dhe njerëzit shumë mikpritës. Sapo të shkoj, do ja sugjeroj kushërinjve këtë vend.“
Autoritetet lokale dhe bizneset turistike shpresojnë që ky trend të forcohet edhe më tej, duke e bërë Shkodrën dhe Kalanë e saj një pikë të rëndësishme referimi për turistët nga Spanja dhe vende të tjera të Evropës./kb