Plani i rritjes së BE për Ballkanin, tre projektet e para të Shqipërisë 32 milionë euro

Bashkimi Europian ka miratuar një paketë mbështetjeje prej 87.7 milionë eurosh në  kuadër të Planit të Rritjes, për projektet e para që do të financohen përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Nga faza e parë e financimit Shqipëria përfiton 32 milionë euro për tre projekte.

Projekti i parë është “Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë”, i cili përfshin 40 nënstacione të tensionit të lartë në gjithë vendin, duke rritur kështu  kapacitetin e rrjetit dhe duke ulur humbjet. Vlera e projektit arrin në 95.3 milionë euro, ku BE kontribuon me 10.5 milionë euro. Afati i përfundimit është viti 2030.

Projekti i dytë është rikonstruksioni i Hidrocentralit të Fierzës. investimi synon të zgjasë jetën e hidrocentralit edhe 30 vite, duke rritur efikasitetin me 4% dhe prodhimin me 10%. Faza e dytë e projektit mbështetet nga fondet e Planit të Rritjes me 13.6 milionë euro, në një investim total prej 64.2 milionë euro. Afati i përfundimit të punimeve edhe për këtë projekt është viti 2030.

Projekti i dytë është Linja e re Rrashbull-Tiranë dhe Unaza e Tiranës. Ndërtimi i linjës së transmetimit 400/220 kV synon zgjerimin e rrjetit për të përballuar kërkesën në rritje në Kryeqytet. Investimi kap vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa BE kontribuon me 8 milionë euro. Projekti pritet të përfundojë këtë vit.

Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor i ka projektet e para në fushën e energjisë së pastër pothuajse në të gjitha vendet e rajonit. Shqipëria është ndër përfitueset më të mëdha.

Shqipëria në këtë fazë ka tre projekte madhore, që arrijnë vlerën mbi 220 milionë euro, ku BE kontribuon me 33 mln euro.

Vlera e projekteve në Mal të zi në fazën e parë të planit të Rritjes është rreth 54 milionë euro, ku BE kontribuon me më pak se 10 milionë.

Lexo edhe :  Goditet gazetarja, kameramanit i dëmtojnë filmimet! Një në pranga, 2 të proceduar

Serbia është vendi me projektet më të orientuara drejt diversifikimit të energjisë (hidro + diellore). Të dy projektet kanë vlerë 186 milionë euro dhe BE kontribuon me rreth 41 mln euro./kb