Në mesazhin e sotëm në platformën Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh në një luftë pa sulmuar vendin agresor”.
“Është si një ekip sportiv i shkëlqyer që ka një mbrojtje fantastike, por nuk lejohet të luajë sulm. Nuk ka shanse për fitore! E njëjta gjë është me Ukrainën dhe Rusinë. Joe Biden, i cili është i deformuar dhe krejtësisht i paaftë, nuk i ka lejuar Ukrainës të përgjigjet, vetëm të mbrohet. Si shkoi kjo? Në çdo rast, kjo është një luftë që kurrë nuk do të kishte ndodhur nëse unë do të isha president — NUK KA SHANSA. Para nesh janë kohë interesante!!! Presidenti DJT,” thuhet në mesazhin e 79-vjeçarit.
Në takimin e fundit në Alaskë me Vladimir Putinin, Trump nuk arriti të negociojë për ndalimin e luftimeve.
Sipas shkrimit të reuters, Trump tha se ende beson në mundësinë e një marrëveshjeje paqeje, por me lëshime territoriale nga ana e Ukrainës, të cilat Kievi deri tani i ka refuzuar kategorikisht.
Më pas në Uashington ai priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe krerët e Bashkimit Evropian dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s.
Në këtë rast premtoi se Ukraina do të marrë garanci sigurie si pjesë e marrëveshjes së ardhshme të paqes. Sipas Reuters, kjo kornizë mund të nënshkruhet brenda dhjetë ditëve të ardhshme, dhe do ta shoqërojë një paketë të re ndihme ushtarake amerikane në vlerë prej rreth 90 miliardë euro.
Pas takimit, Zelensky deklaroi se Ukraina do të përfundojë deri në fund të javës propozimin e saj për garanci sigurie. Ai theksoi se bëhet fjalë për një model të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit sulmi ndaj një vendi trajtohet si sulm ndaj të gjithë.
Të gjitha këto ndodhin në një kohë kur Rusia po kryen sulmet më intensive ajrore ndaj Ukrainës që prej korrikut, përfshirë sulmet me raketa dhe me dronë gjatë natës. m.p.