Departamenti i Shtetit amerikan ka nisur shqyrtimin e mbi 55 milionë të huajve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara me vizë, raporton Associated Press.
Departamenti ka paralajmëruar, gjithashtu, se të gjithë ata që mbajnë një vizë amerikane, do t’i nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme me vëmendje të veçantë ndaj çdo elementi që mund të tregojë nevojën për të revokuar lejen dhe për t’i dëbuar.
Që prej kthimit në Shtëpinë e Bardhë të Trump-it, në janarin e kaluar, administrata ka vendosur gjithnjë e më shumë kufizime dhe kërkesa për ata që aplikojnë për një vizë amerikane, përfshirë detyrimin për të gjithë që t’i nënshtrohen intervistave personale.
Megjithatë, rishikimi i të gjithë mbi 55 milionë lejeve të të huajve rezidentë duket se tregon për një shtrëngim domethënës. Departamenti i Shtetit ka shpjeguar se do të shqyrtohen të gjitha llogaritë e rrjeteve sociale, regjistrat e forcave të rendit në vendet e origjinës, si edhe çdo shkelje e ligjit amerikan e kryer që prej kohës kur ata janë transferuar.
Në fillim të javës, administrata deklaroi se ka revokuar që nga janari mbi 6.000 viza për studentë të huaj, nga të cilat 4.000 për “shkelje të vërteta” të ligjit dhe rreth 200-300 viza për çështje të lidhura me terrorizmin./kb