Të mori “Zonja e Zezë”, o mik i mirë Artur Zheji!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Idashur Zheji,

Dje vendose të largohesh… pa një fjalë, pa një përqafim, pa një “mirupafshim” të thjeshtë siç e bënim gjithmonë me përplasjen e kokave – si një kod që vetëm ne e kishim.

Shkove papritur, me një heshtje që briti më fort se çdo britmë.

U tregove “i pabesë” siç vetëm ti mund të ishe – me elegancë, pa dramë, pa paralajmërim.

As Klodin nuk e përshëndete. As Patrikun – që pikërisht atë ditë kishte ditëlindjen.

As Besën e as Gerin, që ti i kishe mbledhur – pa e ditur ne, ndoshta as ti vetë – për drekën e fundit.

O tragjik i lindur, që Homerin e kishe gjak, Danten e lexoje si lutje, Shekspirin e recitoje si frymëmarrje…
Pse zgjodhe të ikje pikërisht atë ditë?

Ç’ishte kjo lojë mes jetës dhe vdekjes që zgjodhe ta luaje në heshtje?

Patriku më tha sot me një zë që s’e kisha dëgjuar kurrë më parë:

“Kur të vijë sërish dita ime, çfarë të festoj? Ditëlindjen… apo humbjen e atit tim që e doja si shikimin tim?”

Pse kështu, o mik?

Pse kaq i heshtur në fund?

Ti, mjeshtër i fjalës së pastër, që e trajtoje shqipen si një vepër arti…

Ti, biri i Petro Zhejit dhe Besës Imami – dy yje të pashuar të mendimit dhe elegancës…

Ti, që nuk lije fjali pa shkëlqim, që e vrisje banalitetin me një batutë të zgjuar, që e ndërtoje mendimin si një arkitekturë të shenjtë…

Pse nuk na the asgjë në fund?

Një fjalë të vetme me zërin tënd që tingëllonte si muzikë deti…

Një përshëndetje… një gjest të heshtur…

Apo ishe shumë në nxitim, më shumë se ç’mund të përballonim ne që mbetëm pas?

Ti që i dhe zë Kosovës, që e deshe si Besa, që bëre zërin tënd një flamur për të drejtën dhe të vërtetën në mikrofonin e Radios Radikale në Romë.

Lexo edhe :  "Trashëgimia i transformon Partitë tona nga Lëvizje në Lodhje"

Ti, që i mësove rinisë se si tingëllon një fjali kur është e ndërtuar me shpirt.

Ti, që ishe i pakompromis me gjuhën, me mendimin, me estetikën e fjalës.

Javën e fundit folëm gjatë. Lamë që do takoheshim në shtator, pas pushimeve.

Për projektet. Për intervistën në “N’xhiro në Syçin”.

Premtove. Dhe e di që nuk premtoje kot.

Por s’mund të kishe ditur që ky ishte takimi i fundit.

Kush të mërziti kaq shumë?

Kush të lodhi, o vëlla?

Apo ishte koha që të thërriste dhe ti s’mund ta shtyje më?

Me kë do këshillohem tani për një ide që s’më lë të fle?

Kush do të më kundërshtojë me pasion e pastaj do të qeshim për orë të tëra, derisa të na gjejë mëngjesi me gotën e fundit të verës dhe fernetin në fund?

Fluturo, mik…

Shko, se ndoshta vetëm atje lart mund të jesh aq i lirë sa të mendosh pa kufi.

Por dije se gjithçka që le pas, gjithçka që ndërtove me fjalë, mendim, pasion e dashuri, do të jetojë më gjatë se kjo jetë e shkurtër.

Ti ishe një nacionalist liberal.

Një mendje e mprehtë, një shpirt rebel.

Një dashnor i thellë i gjuhës, i kombit, i drejtësisë, i jetës me kuptim.

Na mori malli, Zheji.

Na mori përpara kohe.

Ti u nise në nxitim… dhe ne mbetëm me duart zbrazët dhe sytë plot lot.

Përqafoji të gjithë atje lart edhe për ne.
Thuaju që i kujtojmë.

E ti… do jesh përgjithmonë me ne – në çdo fjali që do guxojmë të shkruajmë me pasionin që na mësove ti. m.p.

Të fundit

4 shtator 1972: Tre hajdutë vjedhin 18 piktura nga Muzeu i Montrealit

Në orët e para të mëngjesit të 4 shtatorit 1972, tre hajdutë të armatosur dhe të maskuar hynë në...

Rusia shpall të padëshiruar institutin britanik, ‘preket’ edhe profesori shqiptar

Përmes një njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme e Rusisë ka ndaluar veprimtarinë e organizatës joqeveritare britanike Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara për Studime të...

Protestat në Izrael/ Netanyahu: Kam marrë kërcënime me vdekje!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kritikoi ashpër të mërkurën policinë për dështimin e saj në menaxhimin e protestave masive pranë rezidencës së tij në Jerusalem. Ai...

1944 – Fundi i Luftës së Vazhdueshme, armëpushim mes Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik

Lufta midis Finlandës dhe Bashkimit Sovjetik në vitet 1941–1944 është e njohur në historigrafinë ndërkombëtare si Lufta e Vazhdueshme (Continuation War), pasi ajo pasoi...

Horoskopi ditor, 4 Shtator 2025

Dashi Me Venusin ne krah gjate kësaj dite, gjithçka do shkoje me se miri sot ne jetën tuaj ne çift. Do jeni te gatshëm te...

Lajme të tjera

Web TV