Deputeti Erion Braçe ka vijuar serinë e denoncimeve publike me video-postime në rrjetin social të fenomeneve të ndryshme të paligjshme në zona të ndryshme të Tiranës, ligjvënës i të cilës u zgjodh me votë në zgjedhjet e 11 majit.
Ai ka publikuar pamjet e një personi për të cilin thotë se përndjek një mjeke, rast që e kishte denoncuar edhe më herët. Teksa jep momentin kur qytetari shfaqet në një ndërtim që Braçe thotë se jo vetëm është i paligjshëm dhe në hapësirë publike, është legalizuar edhe në mënyrë skandaloze nga zyrtarët e korruptuar.
Personi hipën me shkallë në ndërtesë dhe duket se monitoron kamerat që ka vendosur aty për të përndjekur mjekën “dritare më dritare”, teksa ajo ndodhet në punën e saj me pacientët.
“E mbani mend atë kamerën me të cilën një përndjekës përndiqte një mjeke në punën e saj? Atë që shkova dhe e hoqa unë!
Urdhëroni, ky është përndjekësi në dy ditë të ndryshme, brenda katër ditëve.
Shiheni ç’bën: Hipën me shkallë në tarracën e një ndërtimi të paligjshëm dhe i shkon dritare më dritare mjekes, përndjek atë dhe pacientët e saj. Mjekja është në ambientin e saj të punës, pronë e saj.
Tani, është habi e madhe se si Policia e Shtetit, e vënë në dijeni të faktit të përndjekjes përmes kamerës së paligjshme, në shkelje të çdo ligji e norme njerëzore, nuk i jep fund kësaj përndjekjeje kriminale që ndodh çdo ditë.
Ka hequr kamera të paligjshme pafund, por kamerat me të cilat ky përndjek një mjeke në punën e saj, Jooo!
Ka ndaluar pafund pisa të këtij lloji-perversë që përndjekin njerëzit në punë të tyre edhe fizikisht, por këtë JOOO!
Ju tregova ditë të shkuara se ky ku përndjekësi vë këmbët është ndërtim në hapësirë publike, i legalizuar në mënyrë skandaloze e në kundërshtim me ligjin, madje duke i marrë pronën tjetrit e duke i rënë më qafë gjithë banorëve të pallatit, në një rrugë ku ky operacion për lirimin e hapësirës publike, edhe pse në mes të Tiranës, nuk ka mbërritur!
Tani në vend që ndaj këtij të zbatohet ligji, të hetohet legalizimi skandaloz në hapësirë publike, të hetohet ky dhe zyrtarët e korruptuar që e kanë bërë, të shembet e të çlirohet hapësira publike, përfituesi shkon dhe më tej, përndjek njerëzit në punë të tyre, duke shkelur çdo ligj!”/kb