Valës së fundit të të nxehtit në Spanjë i ka ardhur fundi, por pasojat që ka lënë pas janë të zymta.
Midis 3 dhe 18 gushtit, temperaturat ekstreme dyshohet se kanë shkaktuar 1,149 viktima, sipas Instituto de Salud Carlos III. Shifrat vijnë nga një sistem monitorimi që gjurmon “vdekjet shtesë” duke i krahasuar numrat e përditshëm me ato që normalisht pritet të ndodhin. Në korrik, sistemi kishte regjistruar 1,060 vdekje të tjera të lidhura me të nxehtin, 50% më shumë se një vit më parë.
Këto shifra nxjerrin në pah një të vërtetë në rritje: vera spanjolle nuk është më thjesht e padurueshme, por vdekjeprurëse.
Edhe pse temperaturat kanë rënë, zjarret e nisura gjatë valës së të nxehtit vazhdojnë të përhapen. Galicia, Castilla y León dhe Extremadura mbeten të goditura rëndë, me vatra të cilat vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit.
Vetëm në dy javë janë djegur mbi 100 mijë hektarë tokë, përfshirë 30 mijë hektarë në një ditë të vetme. Këtë vit, Spanja ka humbur 373 mijë hektarë tokë nga flakët. Kjo e bën 2025-ën sezonin më të zi të zjarreve në historinë e vendit, duke kaluar shkatërrimin e vitit 2022 dhe duke iu afruar rekordit absolut të Portugalisë në 2017-ën./kb