Ish-kancelarja Merkel është e befasuar që ende kritikohet për thënien “Do t’ia dalim mbanë”. Ajo mbetet te fjalët e saj, sepse për të, bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor, deklaron ajo në dokumentarin e ARD-së.
“Duhet ta arrij këtë duke respektuar dinjitetin njerëzor,” deklaron Angela Merkeli në fund të intervistës së saj me gazetarin Ingo Zamperoni. “Për mua, është e rëndësishme si e adresoj çështjen.” Kjo tingëllon si një mesazh që ish-kancelarja dëshiron të dërgojë në lidhje me politikën e migrimit të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz: për të, dinjiteti njerëzor dhe humanizmi mbeten parimet drejtuese të politikës së migrimit.
Pothuajse dhjetë vjet më parë, më 31 gusht 2015, ish-kancelarja Merkel shqiptoi tre fjalët legjendare “Do t’ia dalim mbanëw” pasi hapi kufijtë dhe lejoi qindra mijëra refugjatë në vend. Dhjetë vjet gjatë të cilave ndodhën shumë gjëra, dhe jo vetëm gjëra të mira. Dhjetë vjet gjatë të cilave CDU-ja e braktisi politikën e migrimit të Merkelit.
Sfida të mëdha
“Duke e hedhur vështrimin pas (pranoj) se ishte një vendim i veçantë me të cilin u përballa”, thotë ajo sot në të vetmen intervistë televizive që dha për të shënuar përvjetorin. “Por jam habitur gjithashtu vitet e fundit kur kam parë se sa shpesh ato tre fjalë, ‘Do t’ia dalim mbanë’, më janë hedhur në fytyrë. Ato nuk synuan të shprehin asgjë tjetër përveç faktit se ndodheshim para një detyre të madhe.”
Pasojat e vendimit të Merkelit e vunë Gjermaninë para sfidave të mëdha: më shumë se një milion kërkesa për azil në vitet 2015/2016, qendra të mbipopulluara refugjatësh, shkolla dhe qendra kujdesi ditor të mbingarkuara, si dhe mungesë strehimi. Komunat gjermane ishin të mbingarkuara në shumë drejtime.
Pastaj erdhi nata e Vitit të Ri 2015. Në Këln, në sheshin e Katedrales, qindra gra u bënë viktima të sulmeve seksuale ose grabitjeve. E gjitha kjo çoi në një polarizim të klimës politike të vendit dhe një ringjallje të popullaritetit të AfD-së, një parti e themeluar në 2010 në përgjigje të politikës së shpëtimit të euros, parti e cila po humbiste terren.
Kulturë e madhe mirëseardhjeje
“Sigurisht, vendimi im i shtyu disa njerëz të bashkoheshin me AfD-në,” thotë sot Angela Merkel. “Dhe sigurisht që e forcoi AfD-në.” Por a është kjo një arsye për të mos bërë diçka që ajo e konsideronte të drejtë, të rëndësishme dhe të denjë për dinjitetin e njeriut?
Angela Merkeli kujton në këtë drejtim edhe kulturën e madhe të mikpritjes që ekzistonte në Gjermani. Njerëz që nuk donin “që ne të tradhëtonim vlerat tona në lidhje me dinjitetin njerëzor” dhe që ishin të lumtur të ndihmonin, siç thotë ajo. “Ishte detyra ime të gjeja një barazpeshë dhe të merrja parasysh shqetësimet e të gjithë qytetarëve të vendit. Dhe AfD luajti një rol në këtë, por edhe të gjithë të tjerët.” m.p.