Një ngjarje që të kujton skenarin e një filmi aksion është zhvilluar ditët e fundit në Dubai, ku një diamant rozë me vlerë 25 milionë dollarë u vodh përmes një mashtrimi të sofistikuar. Megjithatë, gurit të çmuar iu rikthye pronarit vetëm tetë orë më vonë, falë reagimit të shpejtë të policisë.
Tre shtetas aziatikë, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik, u paraqitën si blerës të interesuar për diamant, duke fituar besimin e një tregtari evropian. Përmes takimeve në hotele luksoze dhe përfshirjes së një eksperti për të verifikuar origjinalitetin e gurit, ata ndërtuan një skemë të besueshme.
Momentin vendimtar e zgjodhën kur diamanti u dërgua në një vilë për “finalizimin e marrëveshjes”. Atëherë, hajdutët e rrëmbyen dhe u larguan me shpejtësi. Por autoritetet e Dubait, të mbështetura nga rrjeti i gjerë i kamerave të sigurisë që monitorojnë çdo hapësirë publike, organizuan një operacion të menjëhershëm. Brenda pak orësh, autorët u identifikuan dhe u ndaluan, ndërsa diamanti iu kthye pronarit.
Dubai njihet si një nga qytetet më të mbikëqyrura në botë, me teknologji të avancuar sigurie që ka zbuluar edhe ngjarje të tjera të profilit të lartë ndër vite, si grabitjet e “Panterave Rozë” në vitin 2007 apo operacione të fshehta të shërbimeve sekrete.
Në rastin e fundit, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi mënyrën se si u kapën autorët, por pranuan se ata ishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe se hetimi i gjurmoi me ndihmën e një “syri të padukshëm” që mund të ketë qenë inteligjencë teknologjike ose njerëzore. m.p.