Merr fund kriza në Kosovë! Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit me 73 vota

Ka marrë fund kriza institucionale në Kosovë. Pas 57 seancave të dështuara, deputetët kanë votuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke ia besuar detyrën deputetit të Vetëvendosjes, Dimal Basha.

73 deputetë kanë votuar pro kandidaturës së Bashës. Pro Dimal Bashës kanë votuar deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, përveç tre figurave: Ganimete Musliu, Nait Hasani dhe Fadil Demaku.

Pro votuan edhe depuetët e AAK-së, Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj, Bekë Berisha, por edhe Arben Gashi nga radhët e LDK-së.

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova do të ketë një Kuvend funksional, duke i hapur rrugën edhe përpjekjeve për formimin e qeverisë së re.

Dimal Basha ishte kandidati i pestë i propozuar nga radhët e Vetëvendosjes, pas Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Hekuran Murati e Arbërie Nagavci.

Asnjëri prej katër kandidatëve të mëparshëm nuk arriti të marrë më shumë se 57 vota për kryetar të Kuvendit.

Pika e radhës është zgjedhja e pesë nënkryetarëve para se Kuvendi të konsiderohet i konstituuar dhe të fillojë të rrjedhë afati për votimin e qeverisë.

Kuvendi pas fjalës së Dimal Bashës shkoi në pushim njëorëshe, ndërsa punimet do të rifillojnë në orën 12:30/kb