Nuk duhej tentativa e djeshme për të shkarkuar Lisa Cook nga Bordi i Guvernatorëve të Rezervës Federale, që të kuptohej se çfarë modeli qeverisjeje ekonomike ka në mendje Donald Trump. Mjafton të bashkosh pikat e vendimeve të tij gjatë javëve të fundit, pa marrë parasysh as rritjen më të madhe të tarifave doganore amerikane të nëntëdhjetë viteve të fundit.
Një administratë centralizuese
Sepse edhe përpara se të tentonte të shkarkonte Cook (apo të paktën të përpiqej), presidenti kishte kaluar verën duke i dhënë formë një sistemi padyshim ndryshe nga ai që ka dominuar në Perëndim dekadat e fundit. Largohet ideja e një qeverisjeje të paanshme, të parashikueshme, të respektueshme ndaj ligjit, agjencive të pavarura dhe operatorëve privatë të tregut. Përparon në vend të saj veprimi i një administrate centralizuese, ndërhyrëse, armiqësore ndaj pavarësisë së autoriteteve të ngarkuara me funksione jetike për stabilitetin dhe besueshmërinë e ekonomisë amerikane.
Precedenti i Byrosë së Statistikave të Punës
Sepse letra e djeshme, me të cilën Trump kërkon të përzërë Lisa Cook nga Rezerva Federale, nuk është lëvizja e parë në këtë drejtim. Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte shkarkuar drejtoreshën e Byrosë së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, pasi agjencia publikoi të dhëna mbi punësimin të papëlqyera nga qeveria: akuzat për manipulim politik kundër McEntarfer nuk u mbështetën kurrë me prova, ndërkohë që Trump emëroi në krye të agjencisë që mat inflacionin dhe punësimin një besnik të tij, pa kualifikime, të quajtur EJ Antoni.
Nvidia dhe AMD
Në të njëjtat javë administrata Trump përfundoi një marrëveshje me gjigantët e çipave dhe mikroprocesorëve, Nvidia dhe AMD. Administrata demokrate e Joe Biden u kishte ndaluar të dyve të shisnin produktet e tyre në Kinë, për të penguar përparimin teknologjik të rivalit strategjik të madh të Shteteve të Bashkuara. Trump përkundrazi u ka premtuar të japë «licenca eksporti» – me një aromë disi sovjetike – me kusht që këto kompani të pranonin t’i transferonin qeverisë 15% të të ardhurave të tyre në Kinë. Edhe kjo, një kërkesë pa precedent në historinë amerikane.
Emërimi i bashkëpunëtorit
Trump gjithashtu ka emëruar në Bordin e Guvernatorëve të Rezervës Federale një bashkëpunëtor të ngushtë, Stephen Miran, i cili propozon që presidenti i Shteteve të Bashkuara të ketë mundësinë të shkarkojë edhe drejtuesit e bankës qendrore. Ndërkohë presidenti përgatit hyrjen e qeverisë amerikane në grupin e madh të çipave Intel, me një kuotë prej 10%. Në këtë rast motivimi është një konflikt i supozuar interesi i administratorit të deleguar Lip-By Tan: dyshimi (sërish pa prova) është se drejtuesi, i lindur në Malajzi, i rritur në Singapor dhe rezident në Amerikë prej dyzet vitesh, punon fshehtas për interesat e Kinës.
Shantazhet ndaj aleatëve
Lista e ndërhyrjeve të Trump, të frymëzuara nga një vizion autoritar dhe i centralizuar i qeverisjes ekonomike, mund të vazhdojë pafundësisht. Sekretari i tij i Thesarit, Scott Bessent, thekson për shembull se marrëveshja tregtare me Japoninë do ta detyronte Tokion të siguronte një “fond sovran” prej 550 miliardë dollarësh dhe administrata amerikane do të mund ta shpenzonte sipas dëshirës në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, një gjobë ndaj një aleati në këmbim të aksesit në treg, me tarifa 15%. Sipas Bessent, kjo “marrëveshje”, ashtu si edhe licencat e paguara të eksportit për Nvidia, do të ishin “modele” për vendime të tjera të ngjashme në të ardhmen. m.p.