80-vjeçarja mposht mafien e pronave në Drimadhes

Helidon Gjikoka, një biznesmen kontravers në jug të vendit, duhet të paguajë 113 milionë lekë për “beach bar-in” pa leje që kishte ndërtuar në zonën e Drimadhesit. I denoncuar nga banorët dhe familjarët e tij për grabitjen e pronave, drejtësia më në fund ka dhënë drejtësi.

Avokati Arben Llangozi tregon se beteja me këtë biznesmen ka nisur 5 vite më parë, në kohën e pandemisë kur klientët e tij kanë denoncuar zaptimin e tokave, ndërsa autoritetet lejuan ngritjen e lokalit buzë detit nga Helidon Gjikoka.

“Me këmbëngulje dhe përpjekje të mëdha kam dokumentuar çdo shkelje, duke bërë kallëzimet përkatëse pranë Policisë Himarë, madje edhe ndaj vetë policisë që, në vend që të ndëshkonte autorët e krimit, i mbrojti ata.

Gjatë kësaj periudhe janë depozituar 7 çështje penale lidhur me këtë shkelje, por Prokuroria e Vlorës e kthyer prej vitesh në një çerdhe korrupsioni u bë avokate mbrojtëse e një mafiozi, duke mos e vënë asnjëherë përpara drejtësisë autorin e krimit”, shkruan ai.

Avokati tregon se prej 5 vitesh, Prokuroria e Vlorës ka mbrojtur interesat e paligjshme të këtij individi, duke kërkuar pushimin e çështjeve. Me këmbëngulje të vazhdueshme, ai ka arritur t’a kthej dosjen disa herë për hetim, raporton Newsbomb.

Më në fund, dy ditë më parë fadromat e IKMT-së dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar në ambientet resortit “Amel Beach” dhe kanë rrafshuar godinën e ndërtuar pa leje dhe në tokën e personave të tjerë, zaptuar nga Helidon Gjikoka.

IKMT ka vlerësuar dëmin ndaj shtetit në shumën 113 milionë lekë, por dëmi real ndaj individit është shumë më i madh dhe i pallogaritshëm, thotë avokati Arben Llangozi.

Ai ka ndarë në llogarinë e tij dhe një video të një zonje 80 vjeçare, e cila rezulton të jetë pronare e vërtetë e tokës që i është grabitur nga ky biznesmen kontravers, të cilin avokati e quan “mafia e pronave”. m.p.