Gara për kreun e ri të BKH, KLP cakton datën e lirimit nga detyra të Hajnës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë cakton datën 1 shtator si ditën kur anëtarët do mblidhen për të deklaruar mbarimin e mandatit të drejtoreshës së BKH Aida Hajna.

Anëtarët e KLP, siç raportohet nga media, do të mblidhen këtë të hënë në orën 11 për të vendosur lirimin nga detyra të drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit që sipas ligjit i mbaron mandati pesë vjeçar në 31 gusht.

Më herët gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka raportuar se procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri ka ngecur dhe se gjetja mes kandidatëve e shefit të ri të BKH nuk la gjasa të kryhet brenda afateve të caktuara nga ligji, pasi Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Posaçëm të Figurës dhe Pasurisë nuk ka nisur ende kontrollin e shtatë kandidatëve, që do të thotë ende nuk janë përcjellë shkresat drejt shërbimit sekret dhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj, që do të japin përgjigje për figurën e garuesve.

Dhe për të kontrolluar pasuritë e tyre bazuar mbi deklaratat që pretendentët Gledis Nano, Gentian Ndoj, Elton Kërluku ,Andi Pogace, Gentian Shehu, Artur Beu, Joni Keta i kanë dorëzuar pranë ILDKPI.

Nga përfundimi i testeve (datë 28 korrik) me një komision të posaçëm të përzgjedhjes (tre prokurorë që udhëhoqën këtë gare), tashmë komisioni i dytë duhet të kryejë vlerësimet e mëtejshme. Në përmbajtje të tij janë një gjyqtar antikorrupsion, dy prokurorë të SPAK, dhe dy hetues të BKH , njëri siç përmend ligji vjen nga seksioni financiar dhe ai ishte Z.Elton Kërluku. Por hetuesi rezulton të ketë dhënë dorëheqjen nga komisioni i kontrollit, mbasi si një aspirant për drejtimin e BKH nuk mund të kontrolloje veten dhe 6 konkurrentët e tjerë.

Lexo edhe :  “Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve”/ Ambasada e SHBA ndan mesazhin e Trump

Ishte reagimi i vonuar i KLP në ngërçin Hajnaj dhe beteja që ajo pati prej muajit dhjetor 2024 në një letërkëmbim të gjatë që ekspozoi krizën e komunikimit brenda strukturës së posaçme.

Po ashtu gara u çel me vonesë, por edhe kur u mbyll zyrtarisht afati për dorëzimin e dokumenteve të të interesuarve, u shty me kohë shtesë të pajustifikuar dhe përtej protokollit./tch