Papunësia në Gjermani ka kaluar për herë të parë pragun e 3 milionë personave në një dekadë, duke nxitur shqetësime të mëdha për ecurinë e ekonomisë dhe duke rritur presionin mbi qeverinë që të sjellë rezultate të shpejta nga planet gjigante të investimeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Punësimit këtë të premte, 29 gusht, këtë muaj numri i të papunëve arriti në 3.02 milionë, me një rritje prej 46 mijë personash krahasuar me muajin korrik.
“Në Gjermani, tre milionë nuk është thjesht një shifër. Është një prag simbolik që ndan forcën nga dobësia,” u shpreh Carsten Brzeski, kreu i makroekonomisë globale në ING.
Kriza u thellua më tej nga inflacioni, i cili u rrit mbi pritshmëritë në gusht, duke arritur në 2.1% nga 1.8% që ishte në korrik.
Ekonomia më e madhe e Europës po përballet me një ngërç të zgjatur, të ndikuar nga tarifat doganore të vendosura nga SHBA-të dhe pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë. Për herë të parë, Gjermania rrezikon tre vite radhazi pa rritje ekonomike.
Edhe ministrja e Punës, Baerbel Bas, paralajmëroi se kërkesa për punë po bie me shpejtësi, vetëm në gusht u raportuan 631 mijë vende të lira pune, 68 mijë më pak se një vit më parë.
Qeveria gjermane ka vënë në dispozicion një fond të posaçëm prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën dhe rimëkëmbjen ekonomike, por ekspertët thonë se rezultatet do të duan vite për t’u ndjerë. Kancelari Friedrich Merz pranoi se rritja e papunësisë tregon se reformat janë të domosdoshme.
Kriza po ndikon edhe në konsum. Shumë familje po kursejnë më shumë nga frika për të ardhmen, ndërsa shitjet me pakicë ranë me 1.5% në korrik, shumë më tepër se pritshmëritë e analistëve që parashikonin një rënie prej vetëm 0.4%./kb