Kalaja e Bashtovës rihap dyert për vizitorët, Rama: Rilindi një hapësirë moderne

Kalaja e Bashtovës ka rihapur dyert duke pritur përsëri vizitorët. Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama ai i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka ndarë pamjet nga Kalaja e cila është bërë sërish e aksesueshme për vizitorët pas restaurimeve të bëra.

“Kalaja e Bashtovës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë sonë historike, ka rilindur duke hapur dyert për vizitorët, tashmë si një hapësirë moderne për kulturën, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit”, shkruan Rama.

Restaurimi i Kalasë së Bashtovës është pjesë e programit të BE-së për kulturën, i cili ka për qëllim rijetëzimin e 21 siteve historike në të gjithë Shqipërinë, duke i kthyer në burime zhvillimi ekonomik dhe social.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Bashkimit Europian, UNOPS-it dhe institucioneve shqiptare, Kalaja e Bashtovës jo vetëm që është shpëtuar nga degradimi, por është transformuar në një qendër të re kulturore dhe turistike për rajonin. m.p.