Në një Shqipëri ku çdo cep i Instagram-it ndriçon me dritat LED të “haulit” të fundit apo me filtrin e një dite “perfekte”, influencuesit kanë marrë një status që dikur u rezervohej vetëm VIP-ave klasikë.
Me një telefon në dorë dhe një audiencë të ndërtuar mbi një algoritëm, ata janë kthyer në motorë ekonomikë që prodhojnë të ardhura të konsiderueshme, tashmë edhe në objekt vëzhgimi të Administratës Tatimore…
Në rrjetet sociale shqiptare, çdo mëngjes fillon me një ”story”. Një kafe në dritë të mëngjesit, një “unboxing”, një urim me zë të ëmbël për ndjekësit, një bashkëpunim i koduar si dashuri e sinqertë për një produkt të ri.
Në sipërfaqe, ky është një ritual modern, një formë komunikimi e përditshme, intime dhe e padëmshme. Por pas këtij rrëfimi minimalist fshihet një realitet financiar shumë më i madh sesa duket: një ekonomi në hije, që funksionon nëpërmjet shikimeve, pëlqimeve dhe një audience që konvertohet në të ardhura të ndjeshme.
Në Shqipëri, ku shumica e të rinjve janë përdorues aktivë të rrjeteve sociale dhe ku tregu reklamues dixhital është rritur me mbi 25% çdo vit pas pandemisë, fenomeni i influencuesve nuk është më një trend i pakicës, por një pjesë qendrore e mënyrës sesi konsumohet, reklamohet dhe shitet gjithçka, nga kremi për fytyrën te mendimi për veten.
Dhe po, shitet edhe “mendja”! Dhe megjithatë, për vite me radhë, këto të ardhura nuk janë përfshirë në logjikën fiskale të shtetit, duke krijuar një vakum të rrezikshëm: nga njëra anë kemi qytetarë që fitojnë dhjetëra mijë euro në vit; nga ana tjetër, një shtet që deri dje nuk dinte as ku t’i kërkonte.
Në njoftimin e disa muajve më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i bazuar në verifikime me bankat, thuhej se mbi 33 milionë euro janë gjeneruar nga individët nëpërmjet platformave dixhitale si Meta, Facebook, YouTube, Google, etj.
Shifra është zyrtare, por në të vërtetë nuk përfaqëson të gjithë tregun, ajo është vetëm maja e një ajsbergu të të ardhurave të pamatshme, të cilat, për shkak të natyrës së decentralizuar dhe të paformalizuar të sektorit, nuk janë as të dokumentuara, as të kontrolluara.
Ky realitet po ndryshon. Për herë të parë, individët që gjenerojnë të ardhura nga platformat sociale janë ftuar të deklarojnë fitimet e tyre në formularin vjetor DIVA 2024.
E nëse për shumicën e profesionistëve të lirë, kjo datë ishte e pritur dhe e pranuar, për shumë influencues ajo përfaqësonte një dilemë ekzistenciale: të pranojnë se janë biznese dhe të hyjnë në sistem, apo të vijojnë të qëndrojnë në hijen e famës, pa llogari e pa përgjegjësi.
Aneid Kaloti, themelues i platformës “SHET Industry”, që ndjek nga afër zhvillimet e tregjeve kreative, shprehet se aktualisht, menaxhimi bëhet nga agjenci të mirëfillta, por edhe formalizimi total i tregut është çështje kohe. “Ne jemi dëshmitarë të një realiteti të ri ekonomik që po e sfidon modelin tradicional të sipërmarrjes.
Kur të ardhurat e një vajze që publikon një video ‘morning routine’ kalojnë të ardhurat e një biznesi të vogël që paguan qiranë, sigurimet dhe taksat, shteti nuk mund të mbyllë më sytë. E njëjta logjikë duhet të vlejë për të gjithë: nëse fiton, kontribuo”, thotë ai.
Influencuesit janë bërë motorët më të fuqishëm të komunikimit tregtar dhe shpesh edhe kulturor. Ata ndikojnë në vendimet për blerje, në vlerat që promovohen, në mënyrën si të rinjtë e shohin veten, suksesin, trupin, modën dhe identitetin.
Dhe këtë ndikim e ushtrojnë pa ndonjë mbikëqyrje institucionale, pa trajnime për përgjegjësi sociale, pa etikë të detyrueshme. Ata janë një media alternative me ndikim masiv, por pa strukturë llogaridhënieje.
Tomi Kallanxhi, themelues i “Big Media Expert”, e artikulon më drejtpërdrejt këtë boshllëk: “Në çdo treg serioz, influencuesit nuk janë thjesht persona me shumë ndjekës, ata janë subjekte tregtare.
Ata kanë marrëveshje, kontrata, detyrime ligjore. Në Shqipëri, ndodh e kundërta. Fama perceptohet si e mjaftueshme për të justifikuar të ardhura të pamatshme. Kjo ka deformuar mënyrën sesi shihet puna, suksesi dhe përgjegjësia. Ka deformuar edhe tregun e agjencive të marketingut dixhital, jo të gjitha janë të formalizuara”, pohon ai.
Problemi është se shumë influencues nuk janë thjesht të pandërgjegjshëm; ata funksionojnë në një ekosistem ku informaliteti është normë. Pagesat për bashkëpunime shpesh bëhen “cash” ose përmes platformave të pallogaritura në sistemin tatimor shqiptar.
Një pjesë e tyre edhe me shkëmbime klering. Asnjë kontratë, asnjë faturë, asnjë deklarim. Po a është influenceri shqiptar shpesh viktimë e një sistemi të ndërtuar për të nxitur fshehjen dhe jo transparencën?
Në vendet perëndimore, ky është një debat i kaluar. Franca, Italia, Gjermania e kanë përfshirë prej kohësh industrinë dixhitale në sistemin e vet të tatimeve dhe së drejtës së punës.
Sipas ligjit të ri të 2024 të Bashkimit Europian, influencuesit janë të detyruar të etiketojnë qartë përmbajtjen e sponsorizuar, të deklarojnë partneritetet tregtare dhe të paguajnë kontribute sociale si çdo profesionist tjetër i pavarur. Në Shqipëri, kjo etikë është ende larg, duke qenë një sektor shumë i ri dhe i pastrukturuar.
Formalizimi i kësaj industrie nuk duhet të fillojë me frikë, por me edukim, thotë për “Monitor”, Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë. Sipas tij, shteti nuk mund të vijë me gjoba pa ofruar më parë mjete për orientim dhe strukturim.
“Këta individë duhet të kuptojnë si të hapin një NIPT, si të lëshojnë një faturë, si të bëjnë vetëdeklarim online, si të përfshihen në skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Në të kundërt, çdo përpjekje për të përfshirë këtë sektor në sistemin tatimor do të dështojë dhe do të kthehet në një betejë kulturore, ku fama përplaset me burokracinë, dhe ku viktimizimi mediatik mbizotëron mbi logjikën fiskale”, thotë z. Xhepa./kb