Radhët e gjata janë rikthyer sërish këtë të shtunë në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, në dalje të Shqipërisë drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Radha e automjeteve arrin më shumë se 2 km gjatësi, ndërsa ato janë ndarë në tre korsi.
Në radhë po presin makina me targa maqedonase, por edhe të Bashkimit Europian, pasi turistët që kanë kaluar pushimet në Shqipëri po rikthehen në vendet e tyre.
Situata e përsëritur gjatë këtij sezoni veror ka bërë që kalimi të jetë i ngadaltë dhe të krijohen vonesa të gjata për shtetasit në të dyja krahët e kufirit.
Pavarësisht se po punohet me tre sportele, prania e gjatë e mjeteve dhe përpunimi i ngadalshëm i dokumenteve në dalje të Shqipërisë ka krijuar nervozizëm, ndërsa boritë e automjeteve janë bërë mënyra e vetme për të shprehur frustrimin e udhëtarëve. m.p.