Papunësia në Gjermani është rritur në më shumë se tre milionë njerëz për herë të parë në më shumë se dhjetë vitet e fundit. Numri i të papunëve u rrit në gusht krahasuar me muajin e kaluar me 46.000, në 3.025 milionë. Kjo është 153.000 më shumë se në gusht të vitit 2024, njoftoi Agjencia Federale e Punësimit në Nuremberg. Shkalla e papunësisë u rrit krahasuar me korrikun e këtij viti me 0,1 pikë përqindjeje, në 6,4 përqind.
Numri i të papunëve mbi kufirin prej tre milionësh u regjistrua për herë të fundit në shkurt të vitit 2015.
“Tregu i punës karakterizohet ende nga stanjacioni ekonomik në vitet e fundit”, tha drejtuesja e Agjencisë Federale të Punësimit, Andrea Nahles. “Megjithatë, ka edhe shenjat e para të stabilizimit”, shton ajo.
Numri i të papunëve në Gjermani rritet parimisht gjithmonë gjatë verës, sepse kompanitë punësojnë më pak para pushimeve vjetore. Por shifrat e gushtit ishin për herë të fundit kaq të larta 15 vjet më parë.
“Tre milionë të papunë janë një pasojë e turpshme e refuzimit për të zbatuar reformat në vitet e fundit”, tha Rainer Dulger, president i Konfederatës së Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë. Ai theksoi se tani nevojitet një valë e vërtetë reformash në vjeshtë.
Në një krahasim mbarëkombëtar, shkalla e papunësisë në landet Bremen (11.8 përqind) dhe Berlin (10.5 përqind) është tepër e lartë. Ndërsa në landet jugore, në Bavari (4.2 përqind) dhe Baden-Württemberg (4.7 përqind) shifrat e papunësisë janë më të ulëtat. Agjencia Federale e Punësimit për statistikat përdori të dhëna të disponueshme deri më datën 13 gusht. Të dhënat pas datës 13 gusht do të përpunohen në bilancin zyrtar për këtë muaj, që bëhet muajin e ardhshëm.
Por pavarësisht këtyre shifrave të reja rekord, Instituti për Kërkime të Tregut të Punës dhe Profesioneve (IAB) sheh shenjat e para të përmirësimit të gjendje. Për barometrin e tyre të tregut të punës, ekspertët anketojnë të gjitha agjencitë e punësimit çdo muaj në lidhje me pritjet e tyre për tre muajt e ardhshëm. m.p.