Një rumun 36 vjeçar i cili po kalonte pushimet në Shqipëri, denoncoi në polici se u dhunua nga disa persona të paidentifikuar në qytetin e Durrësit ku ai po qëndronte. Episodi është shënuar rreth 2 javë më parë, por së fundi në mediat shqiptare, Alexandru Cristian Dirnstorfer, denoncoi se policia nuk e mori seriozisht kallëzimin e tij.
Report Tv u interesua pranë Policisë së Durrësit, e cila tha se për ngjarjen e denoncuar, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për 2 persona të mitur, 17-vjeçarë për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”. Në kërkim njoftoi policia – është shpallur një 36-vjeçar, Neritan Seferkolli.
Nga sa Report Tv mëson përmes burimeve policore, turisti ka qenë duke pirë në një lokal në zonën e plazhit dhe në gjendje të dehur ka marrë një motor që gjendej jashtë lokalit dhe është larguar. Të njëjtat burime thanë se – pronari i mjetit bashkë me dy shokë të tij e kanë ndjekur, e kanë arritur dhe e kanë dhunuar. Mësohet se një varëse që turisti rumun mbante në qafë i është këputur gjatë këtij episodi, dhe gjendet në prokurori së bashku me disa prova të tjera materiale.
Turisti i dhunuar, i lindur në Rumani dhe me banim në Austri, me gjendje gjyqësore, i dënuar, tha në media se u godit nga një grup personash me shkopinj bejsbolli dhe me thikë./e.t