Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka komentuar sot hvillimet e fundit në politikën shqiptare lidhur me ish-sekretarin e kësaj partie, Endrit Braimllari, i cili ka dëshmuar kundër liderit të partisë Ilir Meta në SPAK, dhe më ndërkohë iu bashkua Partisë Socialiste, duke lënë kështu teserën e Partisë së Lirisë.
Blushi, i ftuar në emisionin “Log.” ka kritikuar ashpër veprimet e Braimllarit dhe ka dhënë një vlerësim të fortë për dëshmitarin e dikurshëm të partisë së tij.
“E dini si e cilëson SPAK, prova të ngurta që s’ka asnjë. Thanë që kanë prova të gjalla, termi i tyre. Prova të gjalla, dëshmitarë të paqëndrueshëm, si shpjegohet kjo?” tha Blushi. Ai e ka cilësuar pa e përmendur në emër Braimllarin si një dëshmitar të paqëndrueshëm dhe, sipas tij, një individ që nuk mund të merret seriozisht në një proces gjyqësor.
Blushi nuk ka kursyer kritikat as ndaj veprimeve të Braimllarit pas kalimit të tij në PS. “Nëse konstatohet një vepër penale, dëshmohet me dorën në kushtetutë. Unë e përkthej këtë term hiç dëshmitar, ose je i qëndrueshëm ose je palaço,” tha Blushi, duke shtuar se të tilla veprime tregojnë mungesë besimi dhe qëndrueshmërie. Sipas tij, ky është një shembull i një politikani që nuk ka parime dhe i është bashkuar mazhorancës për interesa personale.
“Kam parë një dëshmitar me teserën tonë, shkoi te zyra e Altin Dumanit, ja kishim përgatitur teserën tonë, ja kishim printuar gati me foton. Ja futëm në xhep,” tregoi Blushi, duke theksuar se për një moment Braimllari u duk se do të mbetej besnik partisë, por shumë shpejt doli nga zyra dhe ndryshoi mendje. “Kur doli tha kam teserën e Edi Ramës, ja kishte dhënë Altini në zyrë,” shtoi Blushi.
Ai gjithashtu ka ironizuar me veprimet e Braimllarit duke thënë se edhe pas prodhimit të një logos së re për Partinë e Lirisë, ai u largua nga partia dhe e kaloi te PS: “I prodhuam teserat ne se bëmë logon e re dhe ky donte të parën. Ja aprovuam për hir të historisë se dukej djalë serioz, i mbushur trupmadh, por doli gjysmë njeriu dhe tha mora këtë teserën tjetër.”/e.t