Në aktivitetin që po zhvillohet sot “Shqipëria Turistike 2030”, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, tha se këtë vit vetëm sitet kulturore dhe parqet arkeologjike në vend janë vizituar nga mbi 1 milion turistë. Ai tha se qeveria po planifikon një seri investimesh për ta kthyer Shqipërinë në ‘qendër të kulturës evropiane’.
“Vetëm sitet kulturore dhe parqet arkeologjike u vizituan nga mbi 1 milion turistë, ose 58% më shumë se në vitin 2023. Të ardhurat rriten edhe si pasojë e një mirëorganizimi dhe metodash të reja inovative të xhiros.
Ky proces rritet edhe me një përgjegjësi të madhe që është mbrojtja, restaurimi dhe transmetimi i trashëgimisë sonë kulturore.
Vetëm në 2 vitet e fundit kemi shënuar një rritje historike me ndërhyrje, rrjetëzime dhe restaurime – me 309% projekte restaurimi dhe rrjetëzimi dhe 363 investime në monumente.
Për ‘Shqipërinë 2030’, kemi parashikuar një rrjet të gjerë investimesh për ta kthyer vendin në një qendër të kulturës evropiane. Po, ambicia është kjo: të jemi një qendër në Europën Kulturore.
Do të rilindin ose hapin dyert: Teatri Kombëtar, Muzeu i Arteve të Bukura, Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë. Biblioteka e Zgjedhura, do të ngrihen muze të rinj: ai hebraik, i filmit, i arbëreshëve, etj. Duam të lidhim sallat e shfaqjes dhe kinemanë. Gjithashtu po punojmë me rezidencat artistike dhe rekreative. Do të përfshihen në një skemë të re menaxhimi,” tha ministri Gonxhja./kb