Kryeministri Edi Rama u shpreh sot më 4 shtator, se kush blen në sektorin e ndërtimit nuk paguan në cash. Si shembull mori Marinën e Durrësit dhe Tiranën.
“Nëse shohim te Marina e Durrësit janë të gjithë njerëz që kanë bërë prenotime dhe janë shqiptarë të diasporës, shqiptarë të Kosovës, janë disa shqiptarë të këtushëm dhe nuk e di se sa nacionalitete të huaja që kanë prenotuar për të blerë atje. Të gjithë këta janë njerëz që blejnë me bankë, nuk blejnë me trasta. Po t’i referohemi ndërtimeve dhe shitjeve në Tiranë sot dhe besoj ti e ke dëgjuar nga zhvilluesit, sot blerja me cash nuk ekziston në Tiranë. Nuk ndodh, nuk blen dot me cash në Tiranë. Sepse edhe sistemi i forcimit të parave është forcuar jashtëzakonisht shumë, gjë që na ka nxjerrë nga lista gri. Mjafton t’i referohesh të gjithë transaksioneve që bëhen. Janë transaksione bankare”, tha Rama.
Ai u shpreh se për Shqipërinë ka një interes që do të vijë në rritje. Rama foli edhe për fonde të huaja që duan të investojnë në Shqipëri.
“Shqipëria ka një interes të jashtëzakonshëm që do të vijë vetëm në rritje të paktën për një periudhë kohe. Tirana në radhë të parë. Unë kam takuar personalisht disa fonde të huaja, jo investitorë, që janë të interesuar të investojnë në blerjen e apartamenteve në Shqipëri. Fonde gjermane për shembull. Fonde angleze”, tha Rama.
Por jo vetëm në ndërtim. Interes ka për të investuar edhe në fusha të tjera.
“Kemi kërkesa të vazhdueshme për investime nga më të ndryshme. Përpara disa ditësh kemi pasur një kontakt me një grup të madh që erdhi dhe vjen përsëri për të investuar në arsim, për të investuar në universitete”, tha Rama.
Sipas Ramës, të huajt vlerësojnë disa gjëra që në Shqipëri duken surreale, por për europianët do të jetë një “mall” i rëndësishëm.
“Unë e kam thënë dhe shumë vite përpara që do vijë një moment që në këtë Europë që kemi do vijë një moment që do ketë një mall që do të jetë më i rëndësishmi, siguria, qetësia. Duket si gjë surreale, por është kështu. Siguria qetësia dhe të qenit në mes të Europës në distanca shumë të shkurtra dhe gjithçka tjetër që të huajt nga e vlerësojnë shumë ne, ne nuk e vlerësojmë”, tha Rama.
Ndër të tjera ai u shpreh se “Shqipëria e ka kapërcyer fazën e vet të tërheqjes zvarrë dhe sot vetëm ngjitet”./e.t