Rama paralajmëron aksionin e radhës: Plan për rilindjen e turizmit, më pak ndërtime

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shumë shpejt do të nisë një aksion i ri kombëtar, këtë herë në fushën e turizmit.

Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Rama tha se plani i ri synon një rilindje të turizmit, që synohet të arrihet duke ulur intensitetin e ndërtimeve në zonat bregdetare, për më shumë të ardhura në këtë sektor dhe më pak dëme në natyrë.

“Ajo që do të bëjmë tani, është që siç ka filluar me Rilindjen Urbane, do vijojmë edhe në zhvillime për turizmin, me theks për ruajtjen e pjesëve të caktuara që mund të jenë parqe natyrore. Sa të jem në detyrë, në Porto Palermo do të bëjmë vetëm tre ndërhyrje, ku ndër to do bëhet një muze për luftën, por pa shtuar resorte e vila. Shumë shpejt do dalim me gjëra konkrete për mënyra sesi do operohet më pas. Çdo gjë vjen me faza. Faza e parë ka qenë Golemi. Në atë kohë ishte një gjë shumë ekskluzive. Sot i takon të shkuarës. Por këto nuk janë ‘Shqipëria 2030’. Do ulim intesitetin e ndërtimeve në zonat bregdetare, do jemi shumë të kujdesshëm. Do jenë ndërhyrje për Shqipërinë me më shumë të ardhura dhe më pak dëm”,-tha Rama./e.t