Një nga çështjet që kryeministri Edi Rama u pyet gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan ishte edhe ajo e pastrimit të qyteteve. Ai u shpreh se zakonisht problematikat me këtë çështje vijnë nga shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Zgjidhet thjesht dhe vetëm duke mos bërtitur “Shqipëri, Shqipëri” vetëm në stadium, por duke e pasur Shqipërinë në kokë edhe kur ke mbeturina në dorë që mos ta hedhësh atje në tokë. Kështu zgjidhet”, tha Rama sot më 4 shtator.
Megjithatë ai tha se edhe për këtë çështje, por edhe problematika të tjera, qeveria ka gati një “ilaç”. Bëhet fjalë për projektin e qyteteve inteligjente dhe monitorimin e rrugëve me kamera. Rama tha se do të shikohet çdo gjë, si nga ata që hedhin plehra në rrugë, nxënësit në klasa e deri te ndërtimet.
“Por ne sidoqoftë edhe për këtë kemi ilaçet e reja. Ilaçet e reja janë që gjatë mandatit që fillon për pak ditë ne do fillojmë të implementojmë se e kemi bërë gati, do fillojmë zbatimin e projektit të qyteteve inteligjente dhe të monitorimit të rrugëve edhe kombëtare me kamera. Në qytet do shohim çdo gjë. Do shohim edhe kush hedh plehrat. Do shohim edhe kush merr pjesë në mësim dhe kush s’merr pjesë në mësim. Do shohim kush kopjon në provim dhe kush nuk kopjon në provim deri në klasë që gjithë prindërit të jenë të sigurtë që në shkolla nuk ka asgjë që i shpëton syrit të drejtorisë, sepse do jenë në kamera, por nuk do i shohë gjithë planeti. Do jenë kamera për administratën e shkollës dhe për prindërit që të shohin fëmijën dhe kur zihen fëmijët ose kur ka një problem, t’ia tregojë ja ku e ke fëmijën. Pra shumë më tepër siguri në shkolla. Do të kemi kamerat që do të shohin në kohë reale çdo ndërtim, jo me leje pa leje që nuk diskutohet”, tha Rama./e.t