Reagon Kadastra: Distancohemi nga ngjarja, personi nuk është punonjësi ynë

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara gjatë ditës së sotme për ngjarjen e ndodhur pranë Drejtorisë Vendore Kamez-Vorë. Ky organ ka mbajtur qëndrimin e tij si më poshtë:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon dhe distancohet nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Në lidhje me rastin e raportuar, sqarojmë se personi që ka kryer veprimin ndaj gazetares nuk është punonjës i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpreh besimin e plotë tek institucionet ligjzbatuese dhe është e bindur se ato do të kryejnë hetimet dhe do të vendosin drejtësi sipas ligjit.

Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi.