Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) Altin Dumani ka udhëtuar 3 ditë më parë drejt Washingtonit ku është takuar me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Brendam Hanrahan, në ambientet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Për Top Channel, një zyrtar i DASH zbuloi diçka më tepër nga takimi i Dumanit duke u shprehur se SHBA-të po vijojnë bashkëpunimin e ngushtë me Shqipërinë për parandalimin e krimit të organizuar si për ndërveprimin në fusha të ndryshme me përfitim të ndërsjelltë.
“Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”.
Ky takim mes Dumanit dhe Hanrahan, erdhi si një sinjal i qartë mbështetje nga SHBA për reformat në drejtësi dhe përpjekjet për ndëshkimin dhe “çrrënjosjen” e korrupsionit duke mos toleruar askënd, pavarësisht pozitave të tyre politike. m.p.