I ftuar në emision, gazetari Ardit Rada tha se përfshirja e mundshme e demokratëve në kabinetin e ri qeveritar nuk do të kishte as moral dhe as ndonjë kuptim. Rada tha se një rast i tillë do të tregonte kapitullimin e PS dhe Edi Rama nuk ka asnjë arsye pse ta konsiderojë këtë tezë të hedhur së fundmi në media.
Duke u ndalur tek ndarja e pushtetit, Ardit Rada tha se opozita ka plot institucione për të cilat mund të luftojë dhe që i takojnë. Por sipas gazetarit, duke patur parasysh mungesën e seriozitetit të PD, institucionet e pavarura u duhen besuar partive të reja apo shoqërisë civile.
“Unë mendoj se në qeveritë socialiste nuk ka vend për emra nga Partia Demokratike. Kjo si formulë nuk ka as moral politik dhe as ndonjë kuptim, sepse ndryshe PS duhet të shpallë kapitullimin dhe të thotë se nuk ka më njerëz të aftë. Por PD dhe opozita në tërësi kanë patur dhe kanë hapësirat e tyre për të marrë pushtet pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve. Kushtetuta e vitit 1998 garantoi që Presidenti, KLSH, Prokurori i Përgjithshëm dh Avokati i Popullit të zgjidheshin gjithmonë me propozim të opozitës. Kjo siguronte një lloj kontrolli kushtetues institucional për të bërë opozitë. Çfarë po ndodh sot nuk është problem që Edi Rama ka 83 apo 86 mandate, por problem është se nuk ka më mekanizma kontrolli. Dhe ndërkohë që fokusi është se me kë do të ndahet pushteti mes ministrave, ne duhet të ngrejmë pyetjen se kush do ta kontrollojë Edi Ramën? Sepse në një demokraci roli i opozitës është themelor si për transparencën ashtu dhe për qeverinë që të mos abuzojë. Partia Demokratike ka tregua se nuk di të bëjë opozitë institucionale dhe ato mandate që i ka dhënë publiku ajo i përdor për të djegur xhaketa, goma, karrige… Ndërkohë që prej saj është pritur të ngrejë komisione hetimore, të kërkojë pikërisht institucionet që thamë më sipër e të tjera. Prandaj kur flasim për institucione kushtetuese opozitare do të ishte me vend që këto institucione të mos i marrë as pushteti, por as një opozitë që nuk i përdor ato institucione për të bërë politikë, por i keqpërdor për pazare. Ndaj për këto pozicione duhet të dilet përtej PD, duhen kërkuar figura nga shoqëria civile, partitë e reja e të tjera organizma me karakter opozitar” – tha Ardit Rada/kb