Shkrepset e idjotëve që do t’i vënë flakën botës

Leonard Veizi

Botën nuk do ta shkatërrojnë as meteorët, as cunamet, as ndonjë supervirus i krijuar në laboratorin e rradhës që do na e shesin si “aksident”. Jo, jo. Botën do ta djegin vetë njerëzit, me një shkrepsë të vogël injorance, të blerë lirë në ndonjë treg mendimesh të cekëta.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po shënon arritje të jashtëzakonshme dhe teknologjia duket se ka marrë timonin e qytetërimit, lind paradoksi i madh i kohëve tona: njerëzit, në vend që të përparojnë në mendim, po ecin mbrapsht me një shpejtësi marramendëse. Në vend që të ndriçohen nga dija, po verbohen nga vetëbesimi i padijes. E pra, ndërsa bota pret të shpëtohet nga teknologjitë e së ardhmes, ndoshta duhej të pyeste më parë: a do ta shpëtojnë dot teknologjitë njerëzimin… nga vetja?

Nga lart, Toka duket e bukur. Një sferë blu që rrotullohet me dinjitet në boshllëk. Por nëse e afron syrin, dhe hap veshët, e kupton se ajo sferë po mbushet me zhurmë. Një zhurmë që nuk vjen nga oqeanet, as nga erërat, as nga teknologjia. Është zhurma e njerëzve që nuk dinë, por megjithatë nuk pushojnë së foluri. Dhe më e keqja: janë ata që po shtohen më shpejt.

Po, jemi në shekullin e inteligjencës artificiale. Jetojmë në një kohë ku një mikroçip e njeh më mirë botën se një Profesor i Assocuar, ku një algoritëm mund të simulojë dashurinë më mirë se një Romeo me diplomë në dramaturgji. Por injoranca nuk ka vdekur. Ajo po lulëzon si një bar i keq, që nuk ka nevojë për ujë, për diell, as për kujdes. Ajo shtohet, shumohet, shpërndahet si meme në internet – një lloj klorofili i zi për trurin modern.

Ajo që duhej të ishte një epokë ndriçimi është shndërruar në një karnaval verbërie. Robotët mësojnë të analizojnë emocionet, të krijojnë muzikë, të dallojnë sëmundjet nga një skanim fytyre – ndërkohë që njerëzit mendojnë se toka është e rrafshët, vaksinat janë komplot dhe dituria është për snobët.

Sot, çdo njeri me lidhje interneti dhe një profil në rrjetet sociale ndjehet ekspert. Ekspert për klimën, për luftën, për gjenetikën, për ekonominë, për jetën në Univers, për jetën pas vdekjes. Askush nuk lexon, por të gjithë “kanë një mendim”. Askush nuk dëgjon, por të gjithë flasin. Dhe të gjithë janë të sigurt se kanë të drejtë. Kjo është katastrofa më e madhe: injoranca me vetëbesim.

Njerëzimi, në vend që të përfitojë nga progresi i jashtëzakonshëm teknologjik për t’u bërë më i mençur, më i ndjeshëm, më modest, ka zgjedhur të bëhet më i paditur, më agresiv dhe më i verbër. Dhe kjo injorancë nuk mjaftohet më me ndotjen e ajrit apo bërjen pis të informacionit. Ajo ka ambicie më të mëdha: do t’i vërë zjarrin vetë botës.

Lexo edhe :  Ekstaza kolektive

Kjo nuk është metaforë. Boll të shohësh mënyrën si sillen njerëzit me klimën, me luftën, me energjinë, me njëri-tjetrin. Boll të dëgjosh se si përmendet fjala “ekspert” me përçmim, ose si çdo idiot që shkruan “Mos u besoni mjekëve!” merr miliona pëlqime nga mijëra të tjerë që nuk e dinë se si funksionon as truri i një breshke.

Dikur ishte Neron-i, perandori melankolik apo perandori i çmendur që dogji Romën sepse i mungonte frymëzimi poetik. Dhe mungesa e frymëzimit poetik për të ishte njësoj si fundi i botës. Sot, trashëgimtarët e tij janë më të rrezikshëm. Nuk kanë nevojë për poezi. As për shkak. Ata do ta djegin botën nga… idiotizmi. Një zjarr pa stil. Pa dramë. Pa asnjë akt final. Thjesht një klikim. Një “postim i nxehtë”. Një video me titull: “Shihni çfarë ndodh kur s’i ndjek rregullat e sistemit!”

Dhe ndërsa botës i afrohen kriza gjithnjë e më të mëdha, nga ngrohja globale te krizat gjeopolitike, nga kolapsi etik te rrëzimi i vlerave, njerëzit do të vazhdojnë të ndajnë receta për t’u bërë miliarder në tri ditë, metoda për të shëruar kancerin me sodë buke dhe broçkulla për shpëtim të garantuar duke vënë duart mbi ekran.

Sot çdo idiot është një ekspert. Çdo paditur është një profet. Dhe çdo klikim është një votë për shkatërrim. Nuk ka më nevojë për bomba atomike. Ne do ta bëjmë punën vetë. Ngadalë, me zell, me celularë në dorë dhe “story” të ndezur: “Shihni si digjet bota..

Po, fundi i botës nuk do vijë nga jashtë. Nuk do na sulmojnë alienët. Nuk do na zhdukë ndonjë yll që shpërthen. Jo. Do vijë nga brenda. Nga vetë ne. Do jetë një akt vetëdjegjeje kolektive. Pa dramacitetin e Neronit, pa lulen në dorë, pa poezinë që kërkon ndjesë. Do jetë një zjarr i zhurmshëm, banal, i filmuar nga disa adoleshentë që bërtasin “Oo shih si digjet!”.

Dhe ndoshta titulli i fundit i lajmeve do jetë: “Inteligjenca artificiale tenton të shpëtojë njerëzimin, por njerëzimi thjesht nuk ia doli dot të jetë… aq inteligjent.”