Artikull i La Reppublica, nga Paolo Brera
Sa kohë ka diplomacia për ta shpëtuar Ukrainën nga humbjet në terren?!
Për tre vjet, Kievi ka kërkuar nga aleatët e tij ndihma më të shpejta dhe më të mëdha, i bindur se mund të rimarrë territoret e humbura. Por tashmë nuk është më kundërofensiva ajo që imponon shpejtësinë, janë sulmet e vazhdueshme ruse.
Për të ndalur ushtrinë e Putinit, qoftë me forcë, qoftë me një marrëveshje, nevojiten ndihma të mëdha dhe të shpejta nga aleatët. Situata është e paqëndrueshme dhe e vështirë.
Raportet që mbërrijnë në presidencën ukrainase dhe në qendrat operative të forcave aleate janë shqetësuese. Qëllimi kryesor i Rusisë mbetet i pandryshuar: kapja e zonave të Pokrovsk, Kramatorsk dhe Slovyansk.
Marrja e këtyre zonave do t’i lejonte Kremlinit të shpallte fitoren e parë dhe të kompletonte pushtimin e Donetskut dhe të gjithë Donbass-it, duke përfshirë rajonin e Lugansk-ut që tashmë është nën kontroll të plotë rus.
Vijë fronti e vështirë
“Situata është komplekse, por jo kritike. Ata avancojnë në disa sektorë, sidomos në Toretsk“, thotë komandanti i batalionit Oleksii “Leo” i brigadës Azov, e cila kontrollon një nga linjat më të nxehta në Donetsk.
“Përdorin pallate me disa kate për të na goditur dhe minojnë rrugët nga larg, duke e bërë të vështirë pozicionimin tonë. Shkatërrojnë shtëpi pas shtëpie. Rimarrja e pozicioneve është e domosdoshme për të mbrojtur personelin tonë, aset i çmuar dhe i rrallë, vetëm vullnetarë”, shton ai.
Njësitë e marinsave rusë janë transferuar kohët e fundit në Pokrovsk, duke u infiltruar në qytet me grupe të vogla, duke shmangur përplasjet frontale dhe duke shkatërruar pozicionet logjistike.
Pokrovsk dhe Myrnograd
Analisti ushtarak Denis Popovych parashikon se Pokrovsk dhe Myrnograd do të bien brenda vitit, duke hapur rrugën për një ofensivë në rajonin e Dnipro. Lidhur me këtë, Europa është e shqetësuar, veçanërisht Gjermania dhe Franca, për përqendrimin e rreth 100 mijë trupave ruse pranë Pokrovsk.
Që nga fillimi i shtatorit, Rusia ka sulmuar me më shumë se 1,300 dronë, rreth 900 bomba dhe deri në 50 raketa. Inteligjenca ukrainase raporton se Rusia mund të prodhojë deri në 2,700 dronë sulmues në muaj dhe ka rreth 700 mijë trupa në Ukrainë, shumica në Donetsk.
Frikë edhe në Poloni
Ndërkohë, Moska po dërgon trupa në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta.
Kryeministri polak Tusk paralajmëron “masa speciale” në rast të provokimeve, ndërsa një dron ka kaluar kufirin dhe është rrëzuar në Lublin./kb