Zëvendës-ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, është shprehur se qeveria ka marrë masa shtesë për këtë sezon të ri shkollor, për rritjen e sigurisë në ambientet e mësimdhënies.
Komentet Osmani i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin ‘Terminal’ me gazetaren Aurora Sulçe në A2 CNN, ku tha se në shkollat me më shumë se 900 nxënës, do të ketë 2 oficerë sigurie.
Ajo tha gjithashtu se oficeri i sigurisë do të ketë akses në kamerat e shkollës, për të evidentuar të gjitha problematikat që ndodhin brenda dhe jashtë ambienteve të këtyre institucioneve.
“Jo më larg sesa dje, ministrja ka prezantuar edhe protokollet e reja të punëve të psikologëve, por edhe të oficerëve të sigurisë.
Në muajin prill ne kemi nxjerrë edhe një udhëzim të ri, që kemi ulur numrin e nxënësve për një oficer sigurie. Pra ne do të kemi oficerë sigurie për shkollat që kanë 300 nxënës e lartë, por në ato shkolla që kanë 900 nxënës ne do të kemi 2 oficerë sigurie.
Tashmë në udhëzimin 31 që ne kemi bërë dhe ndryshimet e duhura, i kemi lënë mundësi edhe oficerit të sigurisë që të ketë akses në kamerat e shkollës, për të evidentuar të gjitha problematikat që mund të ndodhin brenda mjediseve, por edhe jashtë ku kamerat mund të kapin”, tha mes të tjerash Osmani. m.p.