Energjia, 2 milionë euro për përmirësimin e sistemit të faturimit

OSHEE Group parashikon të përmirësojë dhe përditësojë sistemin e faturimit në katër kompanitë që janë pjesë e tij.

Kompania çeli në sistemin e prokurimeve këtë javë tenderin me objekt kontrate “Upgrade i teknologjisë Hardëare/Softëare si dhe përditësim të funksionaliteteve te Sistemit Billing dhe CRM” që parashikon disa ndërhyrje me një fond limit prej 199 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro.

Në dokumentet e procedurës kompania sqaron se sistemi aktual mbështet një gamë të gjerë funksionalitetesh që lidhen me: Regjistrimin dhe menaxhimin e klientëve; lidhjen dhe ndërprerjen e kontratave të energjisë; Përllogaritjen dhe gjenerimin e faturave; Menaxhimin e pagesave dhe detyrimeve; Trajtimin e ankesave dhe kërkesave të konsumatorëve; Raportimin teknik dhe financiar.

“Qëllimi i këtij projekti është modernizimi i platformës ekzistuese të Sistemit Informatik Billing & CRM, nëpërmjet përmirësimit të teknologjisë që e mbështet dhe përditësimit të funksionaliteteve të tij kyçe, me synimin për të rritur efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe përputhshmërinë me nevojat aktuale të operimit dhe zhvillimit të shërbimeve energjetike në kuadër të OSHEE Group sh.a” nënvizohet në dokumente.

Projekti në fjalë ka disa prioritete ku, së pari rritja e performancës së përgjithshme të sistemit në nivel hardëare dhe softëare për të përballuar fluksin në rritje të të dhënave dhe transaksioneve ditore.

Së dyti përmirësimi i funksionaliteteve të sistemit CRM dhe Billing, në mënyrë që të ofrojë një përvojë më të mirë për përdoruesit dhe konsumatorët. Së treti zgjerimi i kapaciteteve të sistemit për integrim me sisteme të tjera, për të garantuar një arkitekturë IT të ndërveprueshme dhe fleksibël.

Së katërti rritja e sigurisë kibernetike dhe përputhshmërisë me standardet më të fundit të menaxhimit të të dhënave, privatësisë dhe auditimit. Së pesti zvogëlimi i ndërprerjeve në shërbim dhe përmirësimi i cilësisë së operimeve, nëpërmjet automatizimit dhe optimizimit të proceseve ekzistuese. m.p.