Presidenti Bajram Begaj priti mbrëmjen e sotme trupin diplomatik shqiptar që shërben në vende të ndryshme të botës.
Në një fjalim të posaçëm, paraqiti vizionin e tij për një zë më të fuqishëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në mbrojtje të interesave kombëtare në një kohë të mbushur me kriza dhe pasiguri.
“Si një vend i vogël në madhësi, por i madh në vullnet, ne kemi treguar se mund të kontribuojmë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për zgjidhje të përbashkëta. Ky është roli që forcon pozitën dhe imazhin tonë në botë, si dhe rrit identitetin e Shqipërisë si partner i besueshëm dhe faktor stabiliteti në rajon e më gjerë”.
Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe praninë në NATO, duke u shprehur se “Aleanca me SHBA-të dhe NATO-n është garancia jonë për sigurinë kombëtare, mburoja jonë në një botë të pasigurt dhe, njëkohësisht, dëshmi e vlerave dhe orientimit tonë Euroatlantik”.
Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria është pjesë e pandashme e Evropës dhe synimi madhor mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
“Ky është objektivi strategjik që përmbledh aspiratat e qytetarëve tanë për zhvillim, mirëqenie dhe sundim të ligjit. Ky është horizonti që orienton reformat tona dhe garanton rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt familjes evropiane”.
Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu edhe për nxitjen e zgjerimit të bllokut evropian në rajonin tonë, duke theksuar se shqiptarët mbeten faktor stabiliteti dhe kohezioni.
Duke iu referuar organizimit me sukses të Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian në maj të këtij viti, organizimit të Samitit të NATO-s që pritet në vitin 2027, si dhe Kongresit Botëror të Ligjit po në këtë vit, Presidenti Begaj theksoi gjatë fjalës së tij se këto janë dëshmi që Shqipëria mund të jetë urë e rëndësishme dialogu dhe bashkëpunimi në Evropë e më gjerë.
Presideti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për paqe përmes bisedimeve dhe dialogut, si në rastin e luftës në Ukrainës, po ashtu edhe në shuarjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Po jetojmë një periudhë ndryshimesh dhe tranzicioni në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka na shtyn që në politikën e jashtme dhe diplomaci të jemi me qasje më proaktiv, më kritikë e të thelluar në analiza, si dhe më largpamës në prognozën e së ardhmes”.
Gjatë ceremonisë së pritjes, Presidenti i Republikës vlerësoi rolin e diplomatëve shqiptarë duke i cilësuar ata si arkitektë të marrëdhënieve të reja, ndërtues të urave të bashkëpunimit, zëdhënës dhe promovues të vlerave shqiptare. m.p.