“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë të shkurtër kohore, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje personale, bizhuteri dhe produkte kozmetike në vlerën 86,721,175 lekë.”
Kështu thotë SPAK, teksa njofton se ka “kopsitur” dosjen në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta, bashkë me kompanitë dhe OJF-të që drejtojnë.
Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e përmendura më sipër, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.
Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen shtetasi Erion Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë (përmendur më sipër) që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë. Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Nga provat e administruara ka rezultuar gjithashtu e provuar se këta të pandehur, me veprimet e tyre të kundërligjshme, të kryera në bashkëpunim me OJF-të e përmendura dhe persona të tjerë, më shumë se një herë, kanë integruar në sistemin bankar shuma monetare të siguruara si përfitime të parregullta, për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Depozitimi i këtyre shumave duke fshehur ose mbuluar natyrën e vërtetë të pasurive, në kushtet kur këto pasuri dihet se janë produkte të veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal, ka bërë që të përmbushen plotësisht elementët e parashikuar në gërmat a) dhe b) të nenit 287 të Kodit Penal, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas paragrafit të dytë.
Ky qëllim kriminal i të pandehurve do të ishte i pamundur të përmbushej, pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF-ve. Në këtë kuptim, organi procedues ka arritur në përfundimin se OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, personat fizikë si shtetasit Valmir Xoxa dhe Adela Kondakçiu, të kontrolluar plotësisht nga e pandehura, Ajola Xoxa, si edhe shtetasi, Elman Abule dhe shoqëria “Rametal” shpk, kanë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale, përmes transferimit të pasurive me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të tyre apo integrimit të shumave të të hollave në sistemin bankar, duke ditur se këto pasuri janë produkt i veprës penale sipas nenit 260 të Kodit Penal. m.p.