Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen Kryesisë ka deklaruar se është droga ajo që emëron ministrat, drejtorët e policisë dhe deputetët.
“Është droga ajo që emëron ministrat, ajo që emëron drejtorët e policisë, prokurorin, deputetët, ajo që vendos në të gjithë nivelet”, tha Berisha, ndërsa theksoi se forca korruptive e saj është e tmerrshme.
Berisha u shpreh se PD ia doli të paraqes te ndërkombëtarët situatën e korrupsionit në vend me anë të rezolutave.
“U angazhuam me të gjithë potencialin tonë në luftën me një regjim që nuk pranon kurrë votën e lirë“, tha ai.
Kryedemokrati theksoi se vëzhguesit ndërkombëtarë në raportin paraprak për zgjedhjet u thanë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet nuk ishin të drejta, që u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe rreshtuan problematikat madhore.
“Rreshtuan përdorimin e të gjitha potencialeve njerëzore, financiar, logjistike të shtetit për të marrë votën. Rreshtuan angazhimin e grupeve kriminale për të kontrolluar votën”, deklaroi Berisha./e.t