Mbyllet mbledhja e Kryesisë së PD, Berisha: Jam 100% dakord për protesta

Pas dy orësh diskutime, mbyllet mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ku janë votuar propozimet kryesore

Pavarësisht se do të marrë pjesë në seancat plenare, Berisha e etiketoi zgjedhjet e 11 majit si “farsë elektorale”, ndërsa në fund të diskutimeve është hedhur për votim edhe një paketë me propozime.

Kryesia ka votuar unanimisht që të mos njihen zgjedhjet parlamentare të 11 majit, propozim ky i vetë Berishës. Gjithashtu është marrë vendimi që të shkohet në Parlament në seancën hapëse të sesionit të Kuvendit të ri më 12 shtator.

Një tjetër propozim që u votua ishin kërkesat për dy komisione hetimore. Respektivisht kërkesat për Komision Hetimor Parlamentar për Zgjedhjet e 11 majit dhe për çështjen “McGonigal”.

“Siç e sheh ti, janë nja 5 rezoluta ndërkombëtare të bazuara në dokumentacionet e PD që damkosin Edi Ramën si kryetar të një narko shtetit, që zhvillon farsë elektorale që përdor institucionet për të shtypur pluralizmin. Hapa të tjera janë bërë. Nuk kanë efekt të menjëhershme por do kenë efektin e tyre. Jemi të bindur se shqiptarët do mund ti rikthejnë votën e lirë. Analiza do nisë”, tha fillimisht Berisha.

Në dalja nga selia blu, Berisha u shpreh i gatshëm që opozita të nisë protestat kombëtare teksa shtoi se brenda PD-së do të bëhet një analizë për humbjen e 11 majit, por nuk dha një datë fikse.

Ndërkaq, Berisha bie dakord me propozimet e Ervin Salianjit, për një stinë politike me revolta dhe protesta nga opozita.

“PD është parti e fjalës së lirë, e mendimit të lirë, do jetë një analizë ku do ftohen të gjithë mbështetësit. Nuk ka një datë fikse. Askush mos mendojë se partia nuk do I nënshtrohet një analize në interesin më të mirë të shqiptarëve. Pati sugjerime për forma, asnjeri nuk e kundërshtoi hyrjen në parlament. Jam 100% dakord me Ervin Salianjin që të zhvillojmë protesta. Në kohën më të shpejtë të duhur. I garantoj mbështetësit tanë se, mirëkuptoj gjendjen e tyre. Janë para një misioni të ri të madh, të shpëtimit të Shqipërisë nga diktatura autoritare e bazuar në drogë dhe krim. Partia ka të gjithë fuqitë të marrë vendime”, u shpreh Berisha. m.p.