Gazetari Lutfi Dervishi ka kërkuar një opozitë ndryshe, që të ngjallë shpresë, për t’i dalë përballë qeverisë së kryeministrit Edi Rama që tashmë është gati të startojë mandatin e saj të katërt.
I ftuar në “Off the Record me Andrea Dangllin, Dervishi shtoi se për fat të keq vendi po shkon drejt një skenari serb me një lider autokrat të fuqishëm dhe opozitë të copëtuar.
“Në thelb ajo çfarë i mungon vendit është një opozitë e mirë. Jemi mësuar me qeverinë, arrogante e mirë, e korruptuar. Por ne po humbim nocionin e pasjes së një opozite si alternativë qeverisëse. E shohim si agjenci proteste, organ akuze, avokati publike. Kjo do të thotë që ekipi, lideri, sjellja, aksionet dhe duhet një analizë.
Po të ishte për skandale kjo qeveri do kishte rënë dhjetëra herë dhe nuk ka pasur ndonjë rezonim në opinion. Shihe çfarë ndodh në Serbi, është një qeveri përball një populli. PD ka kaluar një traumë të madhe, 8 janarin, 2 kuvendet. Me të drejtë ankohet për vendime gjykate…Shoqëria vetë ka kaluar në traumë. Për fat të keq ne po shohim skenarin e Serbisë, një qeveri dhe lider autokrat që vjen duke u fuqizuar dhe një opozitë që vjen duke u copëzuar”, tha Dervishi. M.P.