Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shpronësimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio” në bazë të interesit publik. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët të cilët do të shpronësohen, do të sipas masave përkatëse të trajtuara në vendim të paraqitura si më poshtë:
Vendimi:
V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS KINOSTUDIO”, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, Bashkia Tiranë.
Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 135 729 849 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohet me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, i konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi.
Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri dhe Drejtoria Vendore Tiranë Jug, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri e Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. m.p.