Ministre e Jashtme, reagon Spiropali: Drejt të ardhmes europiane

Elisa Spiropali ka reaguar për herë të parë pasi kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS emëroi ministre për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shpreh mirënjohjen për besimin e marrë nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa e cilëson emërimin si një nder dhe një përgjegjësi të madhe.

Ajo thekson se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 është jo vetëm një objektiv politik, por një mision historik për vendin.

“Drejt Shqipërisë 2030!

Nder dhe përgjegjësi për mua që pas drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, të marr besimin e Kryeministrit Rama dhe Asamblesë Socialiste për të drejtuar Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Integrimi i Shqipërisë në familjen tonë natyrale europiane brenda 2030-s nuk është thjesht objektiv politik, por misioni ynë historik.

Prestigji, forca dhe dinjiteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo janë, kanë qenë dhe do të jenë detyra e nderi i jetës sime.

Me besim të palëkundur dhe shumë sfida përpara, ecim së bashku drejt të ardhmes europiane.

Mirënjohje”, shkruan Spiropali. m.p.