Në Pallatin e Kongreseve ka nisur Asambleja e PS. Fjalën e tij kryesocialisti Edi Rama e nisi duke vendosur theksin tek emergjenca e Tiranës, zgjedhjet e reja në Tiranë, për një situatë e cila sipas tij dihet botërisht. Edi Rama u përqendrua tek drejtësia dhe roli i saj. Për këtë fundit kryeministri tha se PS nuk ka bërë avokatin e askujt dhe se me vetëdije ka larguar duart nga ekzekutivi me reformat që ka ndërmarrë, për të lënë drejtësinë të thotë vetë fjalën e saj.
“Do të na duhet që të adresojmë këtu edhe emergjencën në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, por duhet të them që në fillim sa më qartë atë që besoj se duhet të ndajmë të gjithë së bashku për çështjen e drejtësisë dhe raportin tonë me të. Nuk kemi hyrë në asnjë rast në meritën e drejtësisë, aq më tepër ku drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj. Nuk kemi bërë avokatin e kujto, të familjes së madhe politike që ndalohet nga drejtësia. Nuk do të kemi asnjë pendesë për lirinë dhe pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë në reformën në drejtësi. Përmes reformës i kemi larguar me vetëdije të plotë duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionim zgjedhje apo shkarkimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ia kemi lënë pushtetit gjyqësor që të zgjidhë vetë punët e veta”, tha kreu i qeverisë.
Edi Rama, do të prezantojë edhe emrat e kabinetit të ri, si dhe do të listojë prioritetet kryesore të qeverisë së re për vitet në vijim./E.T