Sekuestrohen 5 thasë me kanabis në Mirditë, shpallen në kërkim tre persona

Një rast i trafikimit të lëndëve narkotike është goditur nga policia e Mirditës, teksa 3 persona janë shpallur në kërkim.

Dy vëllezër dhe një bashkëpunëtor i tyre po transportonin 5 thasët me kanabis me peshë 38.8 kg në aksin rrugor  “Shpal – Blinisht”. Sapo ata panë policisë, braktisën thasët me kanabis dhe u arratisën duke përfituar nga errësira dhe terreni malor.

Droga u sekuestrua, kurse poseduesit u identifikuan dhe u shpallën në kërkim nga policia. Bëhet fjalë për vëllezërit Dashamir Rexhepi 40 vjeç dhe Durim Rexhepi 35 vjeç, si dhe Mark Shyti 27 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Mirditë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Green harvest”, për goditjen e një rasti të tentativës për shitje të lëndës narkotike Cannabis Sativa.

Sekuestrohen 5 thasë me lëndë të dyshuar Cannabis Sativa (në total 38.8 kilogramë) dhe 2 automjete.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas që dyshohet se posedonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Green harvest”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet që kishin siguruar për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën dhe mbrëmjen e djeshme kanë ndërhyrë në aksin rrugor  “Shpal – Blinisht”, duke iu bërë shenjë për ndalim, 3 shtetasve që dyshohet se po transportonin lëndën narkotike, me 2 automjete.

Sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, 3 shtetasit kanë braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira dhe nga terreni malor, kanë mundur të largohen.

Gjatë kontrollit në 2 automjetet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 thasë më lëndë të dyshuar nakotike Cannabis Staiva, me peshë totale 38.8 kilogramë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. R., 40 vjeç, D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër) dhe M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë.

Lexo edhe :  Horoskopi ditor, 7 Shtator 2025

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike, me qëllim ndarjen dhe shitjen në sasi të vogla në qytet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme,  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./E.T