“Shqipëria është Elisë…”

Nga Klevis Bakillari

Ka emra që nuk janë vetëm njerëz. Janë shenja kohe. Janë frymë, janë pasqyrë, janë udhërrëfyes. Sot, Shqipëria ka marrë trajtën e një emri gruaje.

Në diplomacinë tonë, ku fjala është armë dhe buzëqeshja është urë, ajo vjen si një valë e re. Mbi horizonte; ku Shqipëria kërkon të shkruajë kapitullin e saj më të bukur: kapitullin europian.

Elisa Spiropali nuk është vetëm ministre. Ajo është metaforë e një kombi që guxon të jetë i ri, i gjallë, i kthjellët. Shqipëria, në zërin e saj, merr timbrin e një gruaje që nuk lodhet. Shqipëria, në sytë e saj, reflekton besimin dhe durimin e rrugëtimit në vlerat europiane.

Diplomacia shqiptare do të ketë tashmë aromën e luleve të pranverës, por edhe qëndrueshmërinë e lisit të pathyeshëm. Do të ketë ndriçimin e një hëne të plotë në Europë, por edhe zjarrin e një dielli që s’pranon mjegull në Ballkan.

Është fytyra e saj që troket në dyert e Europës jo si e huaj, por si bijë e denjë. Është shpirti i saj që thotë se ky vend i vogël ka zemër të madhe.

Në çdo takim ndërkombëtar, do të flasë jo vetëm një ministre, por një Shqipëri që ka mësuar të ecë me këmbët e veta. Do të shfaqet jo vetëm një emër, por një brez i tërë që e di se e ardhmja nuk pritet,por,ndërtohet.

Dhe kur flamuri kuqezi të valëvitet në Bruksel, Strasburg, Berlin apo Romë, do të duket sikur valëvitet edhe një emër gruaje shqiptare, që mban brenda zërin e një kombi.
Një Shqiponjë.

Shqipëria është Elisë… dhe Elisa është Shqipëria që ecën, që rritet, që guxon.