“Bardhin nuk e duan demokratët, u gradua pa garë në PD”

Në Partinë Demokratike ka paknaqësi për zgjedhjen e Gazment Bardhit si kryetar të grupit parlamentar. Një ditë më parë ishte deputeti Bujar Leskaj i cili e quajti këtë vendim “një gabim të rëndë” nga ana e Berishës.

Sipas kandidates së PD në zgjedhjet e 11 majit, Ilirjana Kuçana, ky është mendimi i demokratëve në bazë, jo vetëm i disa personave në organet drejtuese të partisë.

“Kishte shumë emra që kanë qenë pranë demokratëve, kanë qenë edhe në Rithemelim, është shumë e rëndësishme kjo pjesë. Patjetër që duhet të bashkojmë demokratët, e kam thënë gjithmonë. Por jo kurrsesi t’i gradojmë e t’i japim pozicione… Ky është shqetësim që më vjen nga demokratët, jo nga Ilirjana”, tha Kuçana në një bisedë në A2 CNN.

E pyetur pse Gazmend Bardhi nuk është figurë përbashkuese, Kuçana u përgjigj: “Mendoj se duhet të kemi një moral, një koherencë politike. Sepse nëse shkojmë para demokratëve dhe u vendosim ata që ishin, s’kemi bërë asgjë. Ne i pranuam fillimisht kur erdhën, pa garë, i graduam. Nuk kanë kërkuar një falje publike akoma demokratëve, e meritojnë. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kam qenë mbështetëse e këtij përbashkimi, por kurrsesi nuk mund të pranoj që të zaptojnë partinë dhe nga ana tjetër të shkojnë kundër dëshirës së demokratëve”. m.p.