Universiteti i Durrësit po përgatitet të presë më shumë studentë se viti i kaluar dhe kjo, sipas rektorit, falë punës, investimeve të kryera ndër vite në këtë universitet dhe natyrisht përshtatjes së programeve me tregun e punës.
Në një prononcim për mediat, rektori ka bërë të ditur edhe hapjen brenda të këtij viti të godinës së re të Fakultetit të Studimeve Profesionale.
“Rritja ka ardhur edhe si rezultat i hapjes së programeve të reja, kryesisht të programeve të përbashkëta me universitetet partnere. Janë hapur programe të reja edhe në turizëm, për teknikë laboratori etj.”.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një nga universitetet më të mëdha publike në vend, me mbi 20 mijë studentë në të gjitha nivelet e studimeve, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme arsimore dhe ndër më të kërkuarit aktualisht në Shqipëri./E.T