Nga Klevis Bakillari
Kryeministri ka bërë një lëvizje që në shikim të parë duket thjesht teknike, por në thelb ka një simbolikë shumë më të thellë: një Manastir Politik për Tiranën. Kjo nuk është thjesht zgjedhje e një Ministreje me profil social apo një emri pa kontestime të mëdha. Ky është një mesazh i koduar që vjen pas ngjarjeve dhe turbulencave që ka prodhuar figura e Erion Veliajt brenda Partisë Socialiste.
Manastirliu, ndryshe nga Veliaj, nuk është konfliktuale. Ajo nuk është një figurë që kërkon të sfidojë liderin, as nuk prodhon aks identitar politik brenda partisë. Përkundrazi, ajo ka ndërtuar profilin e saj si një zë i butë, një “shërbyese” e disiplinuar e linjës së Kryeministrit. Pikërisht kjo e bën atë për Ramën, një “manastir politik”: një hapësirë e qetë, e shenjtëruar nga besnikëria, ku nuk ka trazira, ku nuk ka ambicie për pushtet të vetin, por vetëm një frymë e bindjes dhe e përulësisë.
Pas përplasjes së Ramës me rritjen e ndikimit të Veliajt, kreu i PS-së kërkon të tregojë se në parti nuk do të lejohet ndërtimi i “katedraleve personale” ku liderët lokalë apo ministrat prodhojnë kultin e tyre. Në vend të kësaj, ai zgjedh të kandidojë një figurë që përfaqëson punën, stabilitetin, heshtjen, rendin, dhe devotshmërinë ndaj hierarkisë. Kandidimi i znj.Manastirliu është një sinjal i qartë: PS është një manastir dhe Rama është kryeabati i saj.
Në këtë këndvështrim, kandidatura e Manastirliut nuk është vetëm një vendim elektoral. Ajo është një rikthim i Ramës tek modeli i “institucionit të bindjes”, ku individët janë të zëvendësueshëm, por rregulli dhe autoriteti i kryetarit mbetet i patundur. Ndërkohë që Veliaj shihej si një figurë me potencial për të ndërtuar një pol të ri brenda PS-së, Manastirliu përfaqëson të kundërtën: një kornizë që nuk sfidon, por përforcon.
Pra, Rama e ka përdorur këtë lëvizje për të dhënë një mësim të brendshëm: askush nuk është i pazëvendësueshëm, dhe kushdo që ngrihet mbi strukturën e partisë për ta përdorur si trampolinë personale, do të neutralizohet. Në fund të fundit, Rama i njeh mirë psikologjitë e brendshme të pushtetit: pas një periudhe me zhurma dhe dyshime, PS Tiranë ka nevojë për qetësi. Dhe Manastirliu është pikërisht një manastir heshtjeje brenda politikës së zhurmshme!