Ekziston një paradoks që shpesh nuk e vëmë re: antibiotikët, mjekimi që gjatë shekullit të fundit shpëtoi miliona jetë, duket se po kthehen në arsyen se përse nesër një infeksion i thjeshtë mund të na kushtojë rëndë, ndoshta edhe jetën. Përdorimi i tyre pa kriter, përdorimi i tyre tek kafshët me mishin e të cilave ushqehehmi, po bëjnë që të rritet rezistenca ndaj antibiotikëve. Por, nuk është trupi ynë që bëhet rezistent, por vetë mikrobi, i cili nuk njeh kufij: qarkullon në ajër, në ushqim, në tokë, duke na rikujtuar se shëndeti nuk është kurrë vetëm çështje individuale.
Këto dhe të tjera pyetje i trajton episodi i 35-të i Apostrof Podcast, ku i ftuar është mjekja infeksioniste Dr. Alma Hoxha. Me një përvojë të gjatë në fushën e sëmundjeve infektive, Dr. Hoxha sjell një bisedë të drejtpërdrejtë mbi rreziqet e reja dhe të vjetrat që po kthehen, duke shpjeguar qartë mekanizmat që shpesh i injorojmë.
Në episod diskutohet gjithashtu:
Sa i sigurt është vaksinimi sot dhe pse një rënie e vogël e numrit të të vaksinuarve mund të rikthejë sëmundje të rrezikshme, të cilat ishin zhdukur prej kohësh.
Pse ka një lodhje dhe konfuzion të shoqërisë pas pandemisë COVID, që shpesh ushqen mosbesimin ndaj shkencës.
Si ndikojnë migracioni, turizmi masiv dhe ndryshimet klimatike në përhapjen e infeksioneve të reja në vendin tonë
Çfarë roli luan edukimi dhe transparenca e sistemit shëndetësor në mbrojtjen e shoqërisë nga kërcënimet infektive.
Dr. Alma Hoxha thekson se vaksinat kanë qenë dhe mbeten një nga armët më të fuqishme të njerëzimit, duke na lejuar të jetojmë më gjatë dhe më shëndetshëm. Por, paralajmërimi i saj është i qartë: nëse nuk tregohet kujdes me përdorimin e antibiotikëve dhe ruajtjen e besimit tek vaksinimi, përparimi i shekullit të fundit mund të kthehet mbrapsht brenda pak vitesh./kb