Avokati dhe juristi i njohur Jordan Daci ka reaguar pas linçimit publik që kryeministri Edi Rama i bëri gjyqtarit të Administratives në Tiranës, Marko Boshku, pas firmosjes së një vendimi nga ky i fundit.
“Ne avokatët dhe palët shkojmë kot në gjykatat tona sidomos ato administrative përsa kohë Kryeministri i merr me emer dhe me foto, sa herë nuk i pëlqen një vendim që është i ankimueshëm”, shkruan Daci.
Ndryshe nga pretendimet e Edi Ramës, avokati thotë se gjyqtari i Gjykatës Administrative të Tiranës është një profesionist i zbatimit të ligjit.
“Sot e kishtë radhën Gjyqtari Marko Boshku, një gjyqtar shumë i përgatitur, me intengritet të pashoq, i ri dhe pa asnjë barrë mbi vete, përveç peshës së detyrës”, vijon Jordan Daci, duke kërkuar reagim nga Dhoma e Avokatëve.
“Unë nuk flas kurrë për gjyqtarë, por ky magjistrat i ri (sikurse as të tjerët), nuk meriton të linçohet publikisht nga askush. Për mua ndaç si profesor, ndaç si avokat, ndaç si jurist dhe ndaç si qytetar, ai është modeli i shpresës për një gjyqësor të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe pa njollë!
Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë duhet të reagojë me urgjencë, sepse kështu prania jonë në procese është e kotë. Sa për KLGJ dhe KLP, uroj që kësaj here të thonë “Mjaft”. Pa gjyqtarë të pavarur dhe të mbrojtur, drejtësia nuk ekziston dhe në Shqipëri drejtësia po kthehet në lluks”, përmbyll avokati Jordan Daci. m.p.