Kuvendi do të zhvillojë sot dy seanca plenare. E para do të nisë në orën 10:00, ku pritet që të diskutohet projektvendimi për zgjedhjen e zëvendës kryetarëve të Kuvendit, sekretariateve dhe përbërjes së Byrosës ë Kuvendit.
Në seancën e dytë, që do të nisë në orën 17:00, do të diskutohet për zgjedhjen e kryesive të Komisioneve të përhershme të Kuvendit.
Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi mblodhi në një takim konsultues krerët e grupeve parlamentare të partive për strukturën e re dhe drejtimin e komisioneve.
Maxhoranca do të ketë në drejtim 7 komisione, ndërsa opozita 4. Por PD kundërshtoi këtë strukturë të re, të njoftuar nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së javën e kaluar, duke akuzuar se nuk ka pasur konsultime dhe se maxhoranca i ka hequr opozitës Komisionin e Integrimit, që është drejtuar historikisht nga opozita.
Këto ankesa, Gazment Bardhi i përcolli edhe drejt ambasadave të huaja në Tiranë. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi ndërhyrjen e përfaqësive të huaja për të ndaluar sipas tij miratimin në mënyrë të njëanshme të ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca.
Po dje, presidenti Bajram Begaj dekretoi 16 ministrat e rinj të kabinetit qeveritar “Rama 4”. Dekretet tashmë i kalojnë Kuvendit, ku qeveria pritet të marrë votëbesimin në një seancë që, sipas burimeve, mund të zgjasë dy ditë, të enjten dhe të premten. Pas miratimit, kabineti i ri do të duhet të betohet mbi Kushtetutë në Presidencë./kb