Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës vijojnë të kryejnë kontrolle intensive në akset kryesore të kryeqytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Gjatë 72 orëve të fundit:
11 drejtues automjetesh janë arrestuar/proceduar penalisht, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur ose pa leje;
14 automjete janë bllokuar;
11 leje qarkullimi janë tërhequr për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor;
3900 masa administrative për parkim të gabuar;
54 masa administrative janë vënë ndaj automjeteve të konstatuara nga makinat inteligjente shpejtësi-matëse, në tejkalim të normave.
Policia Rrugore thekson sërish se drejtimi i automjetit, në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, si dhe shkeljet e tjera të rënda të rregullave të qarkullimit, përbëjnë rrezik serioz për jetën e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve të tjerë. Autorët e tyre do të ndëshkohen me masa të menjëhershme dhe të rrepta, sipas parashikimeve ligjore.
Kontrollet vijojnë pa ndërprerje, në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit, duke telefonuar në 112. Policia garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm./e.t