Eksperti i mjedisit, Lavdosh Ferrunaj, gjatë një lidhjeje direkte për Klan Neës me moderatorin Besard Jacaj, ka dhënë vlerësimin e tij mbi sfidat që paraqet grupkapitulli i pestë në negociatat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas Ferrunajt, sfida më e madhe lidhet me respektimin 100% të afërsisë me legjislacionin europian, duke theksuar se ky është një kriter shumë i fortë. “Tashmë është shumë evidente që kërkohet një buxhet shumë i madh, përveç vëmendjes së jashtëzakonshme që duhet të ketë qeveria për çështjen e mjedisit,” tha ai.
Eksperti shtoi se nuk mund të japë një shifër të saktë, por sipas tij, buxheti i nevojshëm për të arritur standardet europiane është mbi 1 miliard euro. Ai nënvizoi se për çështjet mjedisore mund të kërkohet edhe shtyrje për respektimin e afateve, por që kjo mbetet një sfidë e madhe për vendin.
Ferrunaj u ndal edhe tek disa dyshime dhe sfida të rëndësishme që lidhen me axhendën e gjelbër, tranzicionin energjetik, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetin. Ai paralajmëroi rreziqet e mbështetjes së rajonit në energji fosile dhe të mundësisë që Shqipëria të kthehet pas në këtë drejtim, duke e konsideruar këtë një zhvillim të papranueshëm.
“Një hap është bërë tashmë me vendimin e qeverisë për ndërtimin e një TEC-i të madh me fosile në Roskovec në dhjetor të 2024, i cili hap rrugën edhe për TEC-e të tjera. Kjo është e shkruar në Planin Kombëtar të Klimës, por dyshimi im është që qeveria mund të operojë me faktin që ka ndodhur para se të çeleshin negociatat, jo pas çeljes. Kjo mund të jetë një lloj loje e papranueshme,” tha eksperti.
Ferrunaj theksoi se për të arritur progres real në kapitullin e pestë, Shqipëria duhet të vendosë prioritete konkrete dhe të sigurojë mbështetje të mjaftueshme financiare dhe institucionale për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e axhendës së gjelbër/kb