Nga Mero Baze
Në fillim thanë se zgjedhjet u vodhën dhe nuk do të njihen. Pastaj, procesi i çertifikimit të zgjedhjeve shkoi deri në Kolegjin Zgjedhor, i cili i çertifikoi zgjedhjet. Çuditërisht, Berisha, që shan me libër shtëpie çdo gjyqtar që merr vendime kundër tij, dhëndrrit, vajzës apo djalit, nuk tha asnjë fjalë të keqe për Kolegjin Zgjedhor që nuk i njohu akuzën që u bëri zgjedhjeve.
Pastaj hynë në Kuvend duke thënë se nuk e njohin Kuvendin, por I njeh Kuvendi Ata. Berisha bëri betimin, bëri batutat që ka zakon dhe në fund mori mandatin e deputetit. Për një moment, dukej se ai mezi kishte pritur të fillonte punimet Kuvendi që të ringjallej në tribunë duke derdhur përroin e tij psiqik në sallën e Kuvendit. Vetëm për atë kënaqësi ai është gati të shkojë në Kuvend dhe vetëm me një mandat nga PD, vetëm ai. Kështu që mos u çudisni nëse kjo ndodh në të ardhmen.
Sot ishin në fazën e tretë të mosnjohjes. Nuk njohën komisionet parlamentare. Beteja më e flaktë u bë për Komisionin e Integrimit, që e ka pasur “agjentja” Jorida Tabaku, të cilën ishin gati ta shqyenin pse pranonte të merrte pjesë në mbledhje me të dërguarit e BE-së, ndërkohë që PD nuk donte. Kanë pas dërguar fjalë te socialistët t’ia hiqnin atë komision dhe këta ja kanë hequr për të mos vënë në siklet as Joridën, as Berishën që e urren vetë ekzistencën e Komisionit.
Dhe teatri filloi përsëri. Berisha u ngrit dhe mallkoi ata që thonë se Shqipëria do hyjë në Europë, deklaroi qartazi që nuk do hyjmë kurrë në Europë dhe pastaj tha se duam Komisionin e Integrimit Evropian.
Pas kësaj, socialistët u lanë vendet bosh për kryetar komisionesh dhe ata u larguan, duke filluar të bëjnë planet se kë do të bëjnë kryetar, duke mos i njohur as ato komisione.
Për t’i vënë kapakun gjithë historisë së mosnjohjes, sot institucionalizuan dhe betejën kushtetuese me Diellën. Edhe pse Presidenti i Republikës nuk ka dekretuar ndonjë ministër me emrin Diella, por ka autorizuar Kryeministrin të jetë përgjegjës për projektin e tij të inteligjencës artificiale, PD vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për Diellën. Nuk e di se çfarë vendimi mund të marrë Gjykata Kushtetuese, për dëshirën e Kryeministrit që të përdorë inteligjencën artificiale në prokurime publike, por opozitarët nuk duan të njohin Diellën si prokuruese tenderash, pasi me sa duket duan që të kenë mundësi të akuzojnë shumë njerëz që merren me tendera dhe jo një njeri virtual që nuk mërzitet, nuk shantazhohet dhe nuk frikësohet nga kritikat.
Me sa duket, Edi Rama u ka gjetur një lodër në duar të kalojnë kohën derisa të kalojë vjeshta e “Revolucionit”.
Kështu, opozitarët tanë ndryshe nga çdo opozitë në botë, e kanë të zgjidhur krizën e tyre. Këta kanë shpikur mekanizmin e mosnjohjes së humbjes, mosnjohjes së parlamentit, mosnjohjes së zgjedhjeve, mosnjohjes së qeverisë. Pra, kanë shpikur mekanizmin e njohjes së kundërshtarit. Si të tillë, ata janë përjetësisht të papërballueshëm, përjetësisht të pandryshueshëm, pasi e kanë të zgjidhur jetën e tyre. Paguhen dhe jetojnë falë atyre prej të cilëve mundeshin rregullisht në zgjedhje, i lënë në opozitë dhe pastaj i mbajnë me lekë.
Ata kanë shpikur mekanizmin e përjetësisë së tyre në opozitë. Një opozitë e mirëpaguar për të qëndruar në opozitë, e cila “ua ha bukën dhe u përmbys kupën”./kb